Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e 105-të gjatë këtij viti, në të cilën vendimet janë marrë me procedurë qarkulluese.

Në këtë mbledhje, KQZ ka vendosur që më 27 dhjetor 2025, në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, të lejohet votimi edhe me dokumente identifikimi të skaduara të vlefshmërisë, të lëshuara nga Republika e Kosovës.


Sipas njoftimit, ky vendim është marrë pas evidentimit të disa rasteve në zgjedhjet e kaluara për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 8 shkurt 2025, ku votues të regjistruar për votim janë paraqitur me dokumente identifikimi të skaduara.

Votuesit që janë regjistruar paraprakisht për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike, ku do të organizohet votimi më 27 dhjetor, do të mund të identifikohen me njërin nga këto dokumente të Republikës së Kosovës: letërnjoftim, pasaportë ose leje vozitjeje.

Po ashtu, në kuadër të përgatitjeve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, KQZ ka marrë edhe disa vendime të tjera, përfshirë miratimin e pagesës për një objekt privat që do të shfrytëzohet si Qendër Votimi në komunën e Mitrovicës së Jugut, si dhe vendime që lidhen me transportin e materialeve zgjedhore dhe autorizimin e stafit rezervë dhe mbështetës në procesin zgjedhor.

KQZ ka theksuar se këto vendime synojnë lehtësimin e procesit të votimit dhe garantimin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve. /Telegrafi/