Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur sot një takim të jashtëzakonshëm, i cili është zhvilluar me dyer të mbyllura.

Me këtë rast, kryesuesi Ardian Hajdaraj njoftoi anëtarët e KPK-së për pranimin e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, e cila e ka shpallur të kundërligjshëm e arbitrar vendimin e KPK-së për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit Besim Kelmendi, raporton KosovaPress.


Në njoftimin e KPK-së për media thuhet se çështjet të cilat ndërlidhen me zbatimin e këtij aktgjykimi do të trajtohen në takimin e radhës.

Gjykata Supreme të mërkurën e ka shpallur të kundërligjshëm vendimin e KPK-së për shkarkimin e Besim Kelmendit pasi ka konstatuar se nuk kishte kuorum prej gjashtë anëtarësh kur u nxor vendimi.

Shkarkimi i Kelmendit ndodhi një ditë pasi intervistimit të tij në cilësinë e dëshmitarit në Prokurorinë Speciale për hetimin e masakrës në Reçak. Kelmendi ka mohuar raportimet e mediave se ka qenë bashkëpunëtor profesional i gjyqtares serbe Danica Marinkoviq që kishte rastin e masakrës në Reçak. /Telegrafi/