LAJMI I FUNDIT:

Marrëdhëniet Kosovë-Gjermani, 15 vite bashkëpunim plot sukses

Marrëdhëniet Kosovë-Gjermani, 15 vite bashkëpunim plot sukses

Marrëdhëniet Kosovë-Gjermani të etabluara me misione diplomatike të ambasadorëve, tash e 15 vite, janë festuar në një takim organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) në nivele të larta përfaqësimi.

Me iniciativë të drejtoreshës së OEGJK-së, Nora Hasani dhe kryesuesit të Bordit të OEGJK-së, Besnik Beqiri, morën pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, zëvendës kryeministri Besnik Bislimi, ministrat Liburn Aliu dhe Rozeta Hajdari. Aty ishin ambasadori i Gjermanisë, Jörn Rohde dhe zëvendës ambasadori Matthias Conrad, përfaqësues nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) dhe përfaqësuesit e fondancioneve politike: Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), Konrad-Adenauer-Stiftung (KAS) dhe Friedrich Naumann Foundation (FNF).

U fol për bashkëpunimin e frytshëm mes dy vendeve, duke filluar që nga viti 1999 e deri më sot.


Nga viti 1999 në Kosovë kanë ardhur 660 milionë euro përkrahje nga Qeveria Gjermane, teksa investimet e huaja direkte nga viti 2007 deri në vitin 2022 kanë kapur shifrën prej 1 miliard e 51 milionë euro, thuhet në njoftimin e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare.

Adresë e parë për investitorët që vijnë nga Gjermania është Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, që me një anëtarësi prej 200 kompanive përbën një nga katalizatorët e bërjes biznes mes kompanive kosovare dhe gjermane, thuhet në njoftim.