Sukseset e fundit të ekipeve kombëtare të Kosovës në hendboll (meshkujt), kanë bërë që Federata e Hendbollit të Kosovës të mbajë pozitë të mirë në ranglistën e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF).

Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) të mërkurën ka njoftuar për ranglistën e fundit të IHF-së, që do të merret për bazë me rastin e transferimit të lojtarëve.


IHF-ja ka ndarë ekipet kombëtare të meshkujve në tri grupe, ndërsa për bazë janë marrë rezultatet në ngjarjet globale të viteve të fundit.

Të kujtojmë që Kosova verën e kaluar për herë të parë luajti në Botërorin e juniorëve në Spanjë. Ndërkohë Kombëtarja A në janar u rendit në vend të dytë në grup në kualifikimet për Botëror, duke lënë prapa Gjeorgjinë e Italinë. Këto dhe rezultatet tjera kanë bërë që Kosova të jetë në grupin e dytë, në atë të kombëtareve të zhvilluara.

Kosova hendboll

Në grupin e top-kombëtareve janë vetëm 16 kombëtaret më të mira në botë: Franca, Danimarka, Spanja, Kroacia, Norvegjia, Gjermania, Suedia, Hungaria, Egjipti, Sllovenia, Tunizia, Islanda, Rusia, Brazili, Portugalia, Maqedonia e Veriut.

Kosova është në grupin e dytë të ekipeve më të mira kombëtare, atyre të zhvilluara, ku bëjnë pjesë 24 kombëtare. Pra Kosova është në grupin që ndanë pozitat nga 17 deri në 40.

Kosova hendboll 1

Kosova dhe kombëtaret tjera të grupit të zhvilluar i lënë prapa 169 ekipe kombëtare të grupit të tretë, të kombëtareve në zhvillim.

Është ky një sukses i ri i Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe ekipeve tona kombëtare që po ngriten në nivel gjithnjë e më të lartë. Por synimi është për avancim të mëtejmë. Rezultatet e fundit japin shpresë për këtë

telegrafi sport app