Kosova, e përkushtuar për të forcuar kapacitetet për menaxhim të rreziqeve

Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që të avancojë arkitekturën e saj të emergjencave civile duke investuar në kapacitete logjistike, teknologji moderne, ngritje të kapaciteteve profesionale. E kjo po synohet të bëhet përmes projekteve TAFF 1 dhe TAFF 2.
Kështu deklaroi ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në punëtorinë njëditore të organizuar nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent e Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe e mbështetur nga Komisioni Evropian dhe me ndihmën e Bankës Botërore dhe Fondit Global për Reduktimin dhe Rimëkëmbjen nga Fatkeqësitë (GFDRR), raporton KP.
Punëtoria trajtoi temat për përmirësim të kuptimit të rrezikut nga fatkeqësitë, parashikimi i bazuar në ndikim dhe paralajmërimi i hershëm si dhe avancimi i gatishmërisë nacionale për menaxhimin e rrezikshmërisë për kriza dhe zjarre malore në Kosovë.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla theksoi se projektet TAFF 1 dhe TAFF 2 kontribuojnë në ndërtimin e kapaciteteve për menaxhimin e rrezikut dhe përballimin e fatkeqësive.
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që të avancojë arkitekturën e saj të emergjencave civile duke investuar në kapacitete logjistike, teknologji moderne, ngritje të kapaciteteve profesionale dhe forcim të bashkëpunimit ndërinstitucional...
Si qeveri jemi të përkushtuar të forcojmë koordinimin ndërmjet nivelit qendror dhe lokal, sepse koordinimi efektiv ndaj fatkeqësive fillon nga komuniteti, nga qytetarët... Kjo qasje e integruar forcon bashkëpunimin ndërinstitucional dhe shtrin mbështetjen nga njohja e rrezikut deri tek gatishmëria e plotë operacionale...
Këto iniciativa strategjike po japin një kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e kapaciteteve të Kosovës në menaxhimin e rrezikut dhe përballimin e fatkeqësive. Gatishmëria kombëtare përbën themelin e çdo shteti, është një politikë që prek mirëqenien, sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Është investim në mbrojtjen e jetëve, mjedisit, ekonomisë. Kosova është e përkushtuar të krijojë një sistem të qëndrueshëm”, tha ai.
Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Genc Metaj u shpreh se dy projektet TAFF 1 dhe 2 shënojnë një hap përpara në modernizimin e sistemit të emergjencave të vendit me standardet evropiane.
“Shënojmë një hap përpara në modernizimin dhe harmonizimin e sistemeve tona me standardet evropiane si dhe në përmirësimin e rrezikut nga fatkeqësitë. Përmes këtyre projekteve po avancojmë në rritjen e kapaciteteve profesionale të institucioneve në nivel qendror dhe lokal në përmirësimin e planifikimit, koordinimit dhe harmonizimit me standardet e BE-së dhe mekanizmit evropian të mbrojtjes civile si dhe në modernizimin e sistemit të paralajmërimit.
Këto projekte janë tejet të rëndësishme për vendin tonë duke na mundësuar jo vetëm rritje të njohuri, por edhe ndërtim të praktikave më të mira dhe të qëndrueshme në terren”, deklaroi Metaj.
Projektet TAFF 1 dhe TAFF 2 financohen nga Komisioni Evropian – DG ECHO dhe zbatohen nga Banka Botërore në bashkëpunim me Fondin Global për Zvogëlimin e Rrezikut dhe Rimëkëmbjen nga Fatkeqësitë (GFDRR).


















































