Si gazetar që kam përcjell gjatë politikën e brendshme dhe të jashtme të Kosovës, duke ndjekur nga afër dialogun para statusit, shpalljen e Pavarësinë së Kosovës dhe anëtarësimet në organizmat ndërkombëtarë - në Bankën Botërore, në Fondin Monetar Ndërkombëtar, në EBRD, FIFA, UEFA, Komitetin Olimpik, Organizatës Botërore të Doganave e CEFTA - kisha përshtypjen se Kosova do të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, ngase të tilla ishin pritshmëritë dhe paralajmërimet.

Në anën tjetër, më kujtohet si sot dështimi për t’u anëtarësuar në INTERPOL, ku nga vendi i ngjarjes ndoqa lobimin e Serbisë kundër Kosovës dhe mos arritjen e numrave nga Kosova për të qenë pjesë e këtij institucioni. Pastaj ishte edhe mos anëtarësimi në UNESCO. Por, realisht, Këshilli i Evropës (KiE), në këtë fazë, është dështim i jashtëzakonshëm për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.


Ku ka dështuar Kosova në këtë rast?

Po e lëmë anash Serbinë e cila ishte kundër - e cila ende është kundër - dhe që theu marrëveshjen e BE-së për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. Sot po flasim për dështimin e brendshëm. Prisnim rezultat, por kishte edhe paralajmërime pozitive të cilat vinin nga institucionet, sepse Kosova arriti me sukses të kalojë në Asamblenë Parlamentarë të Këshillit të Evropës, aty ku votuan deputetët ... Madje, pas kësaj pati festë, dolli e konferencë duke thënë se tashmë jemi “shumë më afër” ...!

Për ta kaluar Asamblenë Parlamentare, Kosova ka zbatuar “kushtin” për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit në Deçan dhe u tha se kushte të tjera nuk ka!

Por, Kosova (institucionet e saj) nuk kishin reaguar drejt e saktë me kërkesën e shumë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian - si Franca, Gjermania e Italia - se duhet lëvizur para me draftin evropian të Asociacionit të komunave më shumicë serbe në Kosovë, kërkesë kjo edhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e cila ka statusin vëzhguesit në KiE.

Ani pse “kushtëzimi” nuk është i drejtë për Kosovën, sepse në këtë mënyrë BE nuk reagon ndaj Serbisë, institucionet e Kosovës do të duhej të ishin më proaktive, më sqaruese në këtë fazë, më të sigurta e më bashkëpunuese me shtetet brenda Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

Si rezultat i kësaj, Kosova nuk u caktua fare në agjendë dhe kjo ishte “shuplakë” diplomatike për këdo që mendonte se puna është e kryer.

Pra, u gëzuam ende pa bërë “hopa”! Ajo që tashmë mund të dihet është se propozimi i Kosovës - në fakt propozimi i ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz - për draftin e FES-it (të organizatës gjermane “Friedrich-Ebert-Stiftung”), tashmë ka rënë në “ujë” dhe kërkesa është që në Kushtetuese të dërgohet drafti evropian i statutit.

Se a do të dërgohet ky draft, duke u pranuar zyrtarisht në aspektin formal nga Kosova, se a do të caktohet një mbledhje e veçantë brenda pak kohe në Komitetin e Ministrave apo do të shtyhet për vitin 2025, kjo mbetet të shihet.

Sido që të jetë, Kosova humbi një shans dhe qytetarët e saj do të vazhdojnë të jenë viktima të mospranisë në institucionet evropiane dhe ndërkombëtare.