Kosova dhe Kanadaja forcojnë bashkëpunimin ekonomik dhe industrial

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në Shtëpinë e Kosovës në Davos ministrin e Promovimit të Eksportit, Tregtisë Ndërkombëtare dhe Zhvillimit Ekonomik të Kanadasë, Maninder Sidhu.
Gjatë takimit u bisedua për marrëdhëniet bilaterale, shkëmbimin tregtar dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Kanadasë. U veçua rëndësia e bashkëpunimit në industrinë minerare, ku Kosova ka marrë pjesë vitin e kaluar në Konferencën Botërore për Hulumtim dhe Shfrytëzim të Mineraleve, PDAC 2025, në Toronto, njofton zyra për komunikim e Kryeministrit.
Përveç sektorit minerar, u diskutua edhe potenciali për fuqizim të bashkëpunimit në infrastrukturë, teknologjinë e informacionit dhe fushën e mbrojtjes.
Ky ishte takimi i parë mes kryeministrit Kurti dhe ministrit Sidhu. Kryeministri shprehu mirënjohje dhe falënderim ndaj Kanadasë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit, për angazhimin kanadez në kontigjentin e KFOR-it dhe për përkrahjen në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.




















































