Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” ka kërkuar nga konsumatorët që t’i paguajnë në mënyrë të rregullt shërbimet e ujësjellësit.

Në të kundërtën ka paralajmëruar ndërmarrjen e veprimeve për konsumatorët që kanë borxhe mbi 100 euro.


“Për konsumatorët me borxhe të papaguara, mbi 100 euro, në ditët në vijim do të ndërmerren këto masa: dërgimi i rasteve tek Përmbaruesi Privat; shkyçja nga rrjeti për ata që nuk i kryejnë pagesat”, thuhet në njoftimin e kësaj kompanie, raporton Telegrafi.

Në të njëjtën kohë janë publikuar edhe disa fotografi nga rastet e shkyçjes së konsumatorëve për shkak të mos pagesës së faturave.

“Për të shmangur këto masa, ju inkurajojmë që: të riprogramoni borxhin; të kryeni pagesat përmes këtyre mënyrave të lehta: pikave tona të arkëtimit, llogarive bankare (të shënuara në faturë), postës dhe Ëestern Union, aplikacionit E-HRJ”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

“Hidroregjioni Jugor” ka theksuar se pagesat e faturave mundësojnë përmirësimin e shërbimeve dhe realizimin e investimeve për një furnizim më të qëndrueshëm me ujë. /Telegrafi/