Drejtoria për Arsim në Komunën e Vushtrrisë, sot ka organizuar një tryezë diskutimi për të shënuar Ditën Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, me temën “Shëndeti dhe Siguria në Punë: Ndikimi në performancën dhe motivimin e punonjësve”.

Në këtë tryezë diskutimi janë prezantuar të gjeturat nga hulumtimi i kompanisë “Myelin OPS”, i realizuar përmes pyetësorit me punonjësit e Komunës së Vushtrrisë, për stresin në vendin e punës, sfidat, rezultatet dhe rekomandimet, shkruan Telegrafi.


Hapja e tryezës është bërë nga nënkryetarja e Komunës së Vushtrrisë, Hava Mlinaku, dhe drejtori për Arsim, Albanez Tahiraj, ndërsa pjesëmarrës ishin edhe disa drejtorë të drejtorive, punonjës të komunës, përfaqësues të organizatave të ndryshme, si dhe pedagogë dhe psikologë të shkollave të Vushtrrisë.

“Drejtoria për Arsim, përcjell me interes zhvillimet globale në këto dy fusha, andaj promovon qasjen evropiane ndaj problemeve të sigurisë dhe të shëndetit në punë. Kjo qasje nënkupton që të analizohen proceset e punës për të identifikuar rreziqet afatgjata dhe afatshkurtra, dhe më pas të veprohet për t’i shmangur ose për t’i zbutur ato sa më shumë të jetë e mundur”, thuhet në njoftim.

Thuhet se nga kjo tryezë dolën edhe disa rekomandime, që në fokus kishin mirëqenien e punonjësve në vendin e tyre të punës. /Telegrafi/