Komuna e Vitisë miraton vendimin për lirimin nga pagesa për policinë në institucionet shëndetësore
Komuna e Vitisë ka mbajtur mbledhjen e pestë të rregullt të Kuvendit Komunal, gjatë së cilës janë shqyrtuar dhe miratuar disa vendime të rëndësishme.
Një nga vendimet kryesore ishte miratimi i propozim-vendimit për lirimin nga pagesa të punonjësve të Policisë së Kosovës për shërbimet që ofrohen në institucionet publike shëndetësore të menaxhuara nga Komuna e Vitisë, përfshirë Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Po ashtu, u miratua propozim-vendimi për bartjen e mjeteve nga të hyrat vetanake të vitit 2024 në vitin 2025, me qëllim të vazhdimësisë në realizimin e projekteve komunale dhe menaxhimit të qëndrueshëm të financave publike.
Gjatë mbledhjes, këshilltarët komunalë parashtruan pyetje dhe kërkesa drejtuar zëvendëskryetarit të Komunës, Hasan Aliu, si dhe drejtorëve të drejtorive komunale, lidhur me çështje të ndryshme që prekin interesin e qytetarëve.
Zëvendëskryetari Aliu u përgjigj në pyetjet e parashtruara, duke ofruar sqarime për temat e ngritura, përfshirë investimet kapitale, menaxhimin e mbeturinave, përmirësimin e infrastrukturës dhe trajtimin e kërkesave të banorëve. /Telegrafi/






























