Komuna e Shtimes ka njoftuar se po vazhdon pa ndërprerje mirëmbajtja dhe pastrimi i hapësirave publike në qytet, me synim krijimin e një ambienti më të pastër dhe më të përshtatshëm për qytetarët.

Sipas njoftimit, ekipet përkatëse janë angazhuar intensivisht në mirëmbajtjen e sheshit të qytetit “Ahmet Shtimja” si dhe në hapësirat përgjatë lumit “Shtimjanja”.


Drejtori i Shërbimeve Publike, Halil Kurtishi, ka theksuar rëndësinë evazhdimësisë së këtyre aktiviteteve, duke bërë të ditur se mirëmbajtja e hapësirave publike do të mbetet prioritet i vazhdueshëm i komunës.

“Angazhimi ynë do të jetë i pandërprerë për të garantuar hapësira të pastra dhe të mirëmbajtura për të gjithë qytetarët, duke rritur kështu edhe vetëdijen te qytetarët për ruajtjen e ambientit”, tha Kurtishi.

Aktivitetet e ndërmarra përfshijnë pastrimin e mbeturinave, rregullimin e sipërfaqeve të gjelbra dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetesës në qytet. /Telegrafi/