eksperti-banner

Drejtoria e Shërbimeve Publike në Rahovec ka reaguar ndaj punimeve të kryera pas riasfaltimit të një grope në rrugën “Xhelal Hajda-Toni”, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe jashtë standardeve të kërkuara.

Sipas njoftimit, pas ndërhyrjes së realizuar nga kompania e kontraktuar e KRU Gjakova, komuna ka urdhëruar në mënyrë urgjente largimin e pjesës së asfaltuar dhe rikthimin e saj sipas standardeve profesionale.


“Pas riasfaltimit të gropës në rrugën ‘Xhelal Hajda-Toni’ nga kompania e kontraktuar e KRU Gjakovës, ju njoftojmë se është urdhëruar në mënyrë urgjente largimi i kësaj grope të deformuar dhe realizimi i tij sipas standardeve të kërkuara”, thuhet në reagim.

Drejtoria e Shërbimeve Publike ka bërë të ditur se gjatë inspektimit është konstatuar se punimet e kryera nuk i përmbushin kriteret teknike dhe estetike të nevojshme.

“Drejtoria e Shërbimeve Publike e Komunës së Rahovecit kanë konstatuar se punimet e kryera nuk i plotësojnë kriteret e nevojshme teknike dhe estetike, prandaj kërkohet sanimi i menjëhershëm i kësaj gjendjeje”, thuhet më tej.

Komuna ka theksuar se nuk do të tolerojë ndërhyrje që cenojnë cilësinë e infrastrukturës publike.

“Komuna e Rahovecit nuk do të tolerojë punime të tipit ‘shkel e shko’ dhe as dëmtimin e infrastrukturës publike”.

Autoritetet komunale i kanë bërë thirrje kompanisë përgjegjëse dhe KRU Gjakovës që të ndërmarrin menjëherë veprimet e nevojshme për ritrajtimin e pjesës së dëmtuar të rrugës.

“Për këtë arsye, kërkojmë nga kompania përgjegjëse dhe KRU Gjakova që urgjentisht të bëjnë ritrajtimin e kësaj pjese të rrugës sipas standardeve profesionale”, thuhet në reagim.

Komuna ka paralajmëruar gjithashtu se në rast të mosveprimit do të ndërmerren masa ligjore ndaj përgjegjësve.

“Në të kundërtën, do të ndërmerren masat ligjore dhe ndëshkimet e parapara ndaj përgjegjësve për këtë veprim të papranueshëm”, përfundon reagimi i Drejtorisë së Shërbimeve Publike. /Telegrafi/