Komuna e Pejës kërkon ndërhyrje urgjente nga Ministria për aksin rrugor Pejë – Rugovë

Komuna e Pejës ka shprehur shqetësimin e saj për gjendjen e rënduar të aksit rrugor Pejë - Rugovë, i cili ka rëndësi të madhe për qytetarët dhe zhvillimin turistik të zonës.
Përmes një sqarimi publik, zëdhënësi i Komunës së Pejës, Faik Zekaj, ka theksuar se mirëmbajtja dhe rregullimi i kësaj rruge nuk janë në kompetencën e Komunës, por janë përgjegjësi e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
"Pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme për ndërhyrje dhe mirëmbajtje të duhur, Ministria nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme, duke bërë që gjendja e rrugës të përkeqësohet dhe të paraqesë rrezik për qytetarët," ka deklaruar Zekaj. Në pamjet e publikuara, shihet një kamion duke tërhequr një shkëmb të madh nga rruga, çka dëshmon mungesën e investimeve dhe përkujdesjes institucionale.
Komuna e Pejës i bën thirrje Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të marrë masa urgjente për të siguruar një qarkullim të sigurt për qytetarët dhe vizitorët, duke theksuar nevojën për reagim të menjëhershëm./Telegrafi/



















































