Komuna e Junikut ka njoftuar se nga data 14 janar 2026 ka nisur procesi i aplikimit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit në ekonomitë familjare dhe subjektet afariste.

Sipas njoftimit, të gjithë qytetarët e prekur nga vërshimet ftohen që, brenda afatit të përcaktuar, të paraqesin kërkesat e tyre pranë Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve.


Për aplikim kërkohet që aplikuesit të dorëzojnë të dhënat personale, kopje të letërnjoftimit, konfirmimin bankar në emër të aplikuesit, fotografi që dëshmojnë gjendjen reale të dëmeve, si dhe çdo dokument shtesë që vërteton pronësinë ose dëmin e pësuar.

Afati për dorëzimin e kërkesave është deri më 24 janar 2026, ndërsa aplikimet dorëzohen personalisht në objektin e Komunës së Junikut, përkatësisht në Qendrën për Shërbime me Qytetarë.

Për informata shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë kryesuesin e Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve, Shkëlzen Shehu, në numrin e telefonit +383 44 253 321. /Telegrafi/