Komuna e Istogut publikon komunikatë vetëdijesuese për përdorimin e mjeteve piroteknike

Komuna e Istogut, përmes Drejtorisë për Emergjenca dhe Shërbime Publike, ka lëshuar një komunikatë të rëndësishme për qytetarët lidhur me përdorimin e mjeteve piroteknike gjatë festave të fundvitit.
Ky njoftim është bërë për të rritur ndërgjegjësimin për rreziqet që mund të sjellë përdorimi jo i duhur i këtyre mjeteve dhe për të siguruar që festimet të zhvillohen pa incidente dhe aksidente.
Në bazë të legjislacionit në fuqi dhe udhëzimeve të dala nga autoritetet përkatëse, Komuna e Istogut apelon për një përdorim të kujdesshëm të mjeteve piroteknike dhe respekton masat e sigurisë. Përdoruesve të këtyre mjeteve u kërkohet që të mos i shesin ato tek persona nën 18 vjeç dhe t’i përdorin vetëm në hapësira të sigurta dhe të hapura për publikun, duke shmangur zonat e banuara dhe objektet e mbyllura.
Gjithashtu, u bëhet thirrje qytetarëve që të mos blejnë materiale piroteknike që nuk kanë deklaracione të përshtatshme dhe të jenë të rregullta, si dhe të respektojnë datat e lejuara për përdorimin e tyre, nga data 19 dhjetor deri më 2 janar. Përdorimi i pajisjeve piroteknike në periudha dhe lokacione të paautorizuara mund të sjellë rreziqe për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, si dhe për mjedisin përreth.
Komuna e Istogut, përmes këtij njoftimi, u bën thirrje të gjithëve të jenë të kujdesshëm dhe të kontribuojnë në një atmosferë festive të sigurt dhe pa incidente. /Telegrafi/









































