Komuna e Gjilanit me mbështetje financiare - shpall thirrje për subvencionimin e bizneseve Start-up dhe atyre të grave
Drejtoria për Zhvillim Ekonomik e Komunës së Gjilanit, ka shpall thirrje publike “Fondi për Subvencionimin e bizneseve Start-up dhe Bizneset e Grave 2025”.
Enver Shabani, drejtor për Zhvillim Ekonomik, informon të gjitha bizneset e reja Start-up dhe bizneset ekzistuese në pronësi të grave për mundësinë e përfitimit të granteve nga "Fondi për Subvencionimin e Bizneseve Start-up dhe bizneseve ekzistuese të grave 2025" të mbështetur nga Komuna e Gjilanit.
Ai theksoi se për herën e tretë kjo qeverisje po mbështet bizneset me 150 mijë euro, ku dhe është hapur thirrja, duke shtuar se në vitin 2023 me buxhet vetanak komunal pati lansuar thirrjen publike “Fondin për Subvencionimin e Bizneseve Start-up dhe Bizneset e grave”.
“Mbështetja ka vazhduar edhe në vitin 2024 dhe do të vazhdojë edhe sivjet për bizneset e reja dhe gratë ndërmarrëse”, tha Enver Shabani.
Sipas drejtorit Shabani për dy vjet (2023-2024) janë dhënë 248 mijë euro për bizneset e reja.
“Kjo thirrje ka për qëllim kryesor zhvillimin e ekonomik lokale përmes mbështetjes për bizneset ekzistuese dhe krijimin e bizneseve të reja duke ofruar mbështetje në ngritjen e kapaciteteve për bizneset ekzistuese dhe avancime të reja teknologjike në pajisje dhe makineri të nevojshme në procesin e punës. Po ashtu, përmes mbështetjes publike dhe krijimit të bizneseve start-up synohet zvogëlimi i papunësisë”, tha drejtori Enver Shabani.
Shabani tregon se Komuna e Gjilanit, ka përgatitur udhëzuesin për aplikantë, ku dhe është e hapur thirrja për aplikim nga 28 marsi dhe përfundon me 28 prill. /Telegrafi/






























