LAJMI I FUNDIT:
Gjakova 1° partlycloudy_night

Komuna e Gjakovës feston Ditën Ndërkombëtare të Gruas

Komuna e Gjakovës feston Ditën Ndërkombëtare të Gruas

Me moton “Festojmë bashkë fuqinë e krijimtarisë dhe artit të grave” , Komuna e Gjakovës më saktësisht Sektori për Drejtat e Njeriut, ka shënuar aktivitet për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas .

Përmes këtij aktiviteti, i’u dha hapësirë grave dhe vajzave të cilat merren me art dhe kulturë në cdo ditë të vitit.

Në hyrje të Orës Letrare, Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjakovës, Arbënesha Kuqi dhe Udhëheqësja e Sektorit për të Drejtat e Njeriut Lumnije Shllaku, uruan të gjitha gratë për këtë ditë unike për to.


Ato u shprehën se në një datë si kjo, duhet vlerësuar suksesin tonë të përbashkët që sot kemi gra dhe vajza të suksesshme të cilat kanë zë në shoqërinë ku jetojmë. Megjithatë, ato thanë se misioni ynë për një shoqëri të barabartë duhet të vazhdojë edhe më tutje.

Pas fjalimeve, të pranishmet patën mundësinë të dëgjojnë poezi të jashtëzakonshme nga krijueset: Mevlyde Mezini Saraçi, Laureta Rexha, Nita Bardhi, Fjolla Muhaxhiri Agusholli, Dafina Roka, Tixhe Rexha Gërqari dhe Hyre Fazlija.

Ndërkohë, gjatë kohës sa zhvillohej aktiviteti, në sallën solemne në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, ishin të ekspozuara piktura të punuara nga piktore të komunës së Gjakovës.