Kompania "Pastrimi" fton qytetarët të paguajnë faturat

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” u ka bërë thirrje qytetarëve të Prishtinës që të paguajnë për shërbimin e grumbullimit dhe menaxhimit të mbeturinave.
Obligimin për pagesën e faturave “Pastrimi” e bazon në një Rregullore për menaxhimin e mbeturinave, e cila është miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, e validuar nga MAPL dhe Ministria e Mjedisit.
“Për më tepër, kjo rregullore ka kaluar edhe verifikimin gjyqësor, pasi Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka refuzuar kërkesën e Komunës për pezullimin e saj, duke i dhënë rregullores fuqi të plotë ligjore dhe zbatuese” – thot “Pastrimi”.
Nga kjo ndërmarrje thonë se pagesa e faturave është detyrim ligjor për të gjithë qytetarët.
Pagesat mund të bëhen online përmes platformës e-Kosova dhe në sportelet e kompanisë.
“Pagesat e rregullta mundësojnë ofrimin e një shërbimi më të mirë, më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm në kryeqytet” – thuhet tutje në njoftim.
Në rast të moskryerjes së pagesave, “Pastrimi” paralajmëron qytetarët për masa administrative e ligjore.









































