Komisioni për Buxhet miraton Projektligjin për ndarjet buxhetore

Me gjashtë vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar Projektligjin për ndarjen buxhetore për vitin 2026.
Para deputetëve, ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë prezantimit të projektbuxhetit për vitin 2026 dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, kërkoi nga anëtarët e komisionit që procedimi i projektligjit të bëhet sa më shpejt, duke respektuar njëkohësisht të drejtën e deputetëve për shqyrtim.
Murati tha se është e rëndësishme që ligji i ri për buxhetin të hyjë në fuqi deri në fund të muajit, për shkak të tejkalimit të kufirit 1/12 të shpenzimeve mujore dhe ndryshimeve në paga.
“Lutja ime do të ishte që këtë procedim sa më të shpejtë që është e mundur, pra çdo herë duke e respektuar nevojën e deputetëve që të kenë shqyrtim, por që kjo mos të bëhet sikur në situatë të rregullt dhe ka kohë, sepse nuk jemi në presion të kohës. Po të ishte në tetor apo pas dy muajsh afati kur do të hynte buxheti në fuqi, do të ishte në rregull, mirëpo në këtë rast, siç e thashë, as ne si qeveri, sapo kemi marrë detyrën nga Kuvendi, e kemi proceduar dhe nuk kemi bërë fare asnjë ndryshim përveç pjesës tekstuale sa i përket buxhetit për komuna. Pra kemi paraparë momentin që ato propozojnë bëhen pjesë e tabelave buxhetore, si dhe kjo pjesë e ndarjes së dikastereve. Ajo që është me rëndësi për ne është që deri në fund të muajit të kemi në fuqi ligjin e ri për buxhetin. Sepse, përkundër zgjatjes së muajit mars, për të cilën ju falënderoj për miratimin në seancë të mbrëmshme, disa prej shpenzimeve, siç e theksova, kanë tejkaluar 1/12-ën e ndarjes. Pra është dashur që pagesat e janarit, ish dashur të marrin alokim parakohshëm nga shkurti. Tani në shkurt do të marrim alokim paraprakisht nga marsi. Pra nuk është se janë tre muaj për këtë plotësim, sepse ka pasur ndryshime tek pagat. Në korrik ka pasur një rritje prej 55 eurove të koeficientit të pagave, gjë që nuk është reflektuar, pra janari i 2026-ës nuk është i barabartë me janarin e 2025-ës, është për 55 euro më i lartë për secilin. Prandaj është e nevojshme të sillet sa më shpejt kjo balancë dhe jo domosdo janë tre muaj zgjatje tek shpenzimet e tjera, ashtu siç u tha. Prandaj për ne është tepër e rëndësishme që deri në fund të muajit, sepse kur shkojmë prapa prej fundit të shkurtit, ne e dimë që aty ka disa afate procedurale”, ka thënë Murati.
Ndërkaq, anëtari i Komisionit, Kujtim Gashi, tha se në parim e mbështesin projektligjin për shkak të rëndësisë së buxhetit dhe vonesave të shkaktuara, por kërkoi që procedura të zhvillohet në mënyrë të rregullt.
“Në parim jemi për, për shkak se e dimë rëndësinë e buxhetit dhe vonesat që janë shkaktuar. Pyetjen që kam për ministrin, kërkojmë që procedura të jetë e rregullt, të kemi diskutim, të kemi debat, të kemi mundësi që deputetët të bëjnë amandamente, mos të kemi nxitime. Nuk kishte pas kuptim nëse deputetet nuk kishin me pas mundësi , hapësirë edhe të analizojnë, diskutojnë dhe të japin vërejtët e veta, por natyrisht edhe t’i bëjnë amendamentet...Mos të kryhet brenda ditës” tha Gashi.
Në këtë mbledhje, Komisioni miratoi edhe disa pika të tjera nga rendi i ditës, përfshirë:
Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-003 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër” në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për zhvillim;
Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-005 për ratifikimin e marrëveshjen e kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, punës dhe transfereve, dhe asociacioni ndërkombëtar për zhvillim për projektin “kompas” – qasja gjithëpërfshirëse e Kosovës për forcimin e sistemit të shëndetësisë;
Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-006 për ratifikimin e marrëveshjen e kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e financave, punës dhe transfereve, dhe asociacioni ndërkombëtar për zhvillim (anzh) për projektin “edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”.
Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-004 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për “instrumentin për reforma dhe rritje për ballkanin perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si huadhënës, dhe Kosovës si huamarrës dhe bankës qendrore të Kosovës si agjent i huamarrësit. /kp/



















































