Komisioni i ekonomisë miraton kandidaturën e Fullanit

Opozita nuk dha pëlqimin e saj, ndërsa gjatë kohës që zoti Fullani bëri prezantimin e tij para Komisionit, deputeti i PS-së, Erjon Braçe e akuzoi për njëanshmëri politike duke thënë se kandidatura e Fullanit është e ndikuar politikisht.
Komisioni i Ekonomisë nisi shqyrtimin e tre kandidaturave të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë propozuar dhe miratuar pak ditë më parë nga Këshilli i Ministrave, mbrëmjen e së martes.
Kandidaturat që u propozuan nga kryeministri Berisha, janë Guvernatori aktual i Bankës, Ardian Fullani, drejtoresha e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Elisabeta Gjoni dhe këshilltari i kreut të qeverisë për ekonominë, Petraq Milo.
Mbledhja e Komisionit të Ekonomisë ka nisur mes debatesh, pasi raportohet se deputetja e PS-së Mimi Kodheli ka akuzuar qeverinë se kandidaturat e propozuara janë zgjedhur pa konkurencë.
Deputetja Kodheli ka kërkuar gjithashtu që anëtarët aktualë, të cilëve u ka mbaruar mandati të japin dorëheqjen.
Këshilli Mbikëqyrës kanë nëntë anëtarë, tre anëtarë të Këshillit propozohen nga qeveria, pesë nga Parlamenti dhe një nga vetë Këshilli.
Pas miratimit nga Komisioni i Ekonomisë, anëtarët votohen në Parlament./Telegrafi/

















































