Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, autorja e librit “Kuzhina e bebit”, Ariana Zhubi Roka ka ndarë këshilla të vlefshme për prindërit rreth kombinimeve të ushqimit të  fëmijëve gjatë muajve të nxehtë të verës.

Ajo ka theksuar rëndësinë e ushqimeve të lehta, freskuese dhe ushqyese, të cilat jo vetëm që ndihmojnë në hidratim, por edhe në mirëmbajtjen e shëndetit të mirë të fëmijëve.


Një nga rekomandimet kryesore që Roka ka ndarë është përdorimi i kosit si një ushqim bazë gjatë verës.

“Kosi është probiotiku më natyral që ekziston, dhe është shumë i dobishëm për fëmijët. Mund të kombinohet me fruta të ndryshme për të krijuar një vakt të shëndetshëm dhe freskues”, ka thënë ajo.

Për prindërit që shqetësohen për mungesën e oreksit tek fëmijët gjatë kësaj stine, Roka theksoi se kjo është plotësisht normale.

“Ka shumë prindër që thonë ‘nuk po më hanë shumë mirë fëmija në verë’, por gjithmonë ju them që të mos fokusohen te sasia. Nuk është problem nëse fëmija nuk e përfundon të gjithë pjatën. Është më e rëndësishme që të hajë shpesh dhe nga pak”, u shpreh ajo.

Ajo shtoi se përveç kosit me fruta, akulloret e përgatitura në shtëpi janë një alternativë shumë e mirë, duke qenë të shëndetshme dhe të freskëta.

Një tjetër rekomandim nga Zhubi Roka janë supat e ftohta, sidomos ato të përgatitura me tranguj, të cilat janë të lehta për tretje dhe ideale për ditët me temperatura të larta. /Telegrafi/