Një procedurë jetësisht e rëndësishme që zbulon, trajton dhe parandalon sëmundjet e zorrës së trashë - zbulimi i hershëm që mund t’ju shpëtojë jetën

Dr. Driton Shabani, MD, Gastroenterohepatolog, PhD candidate Tel. 044440890

Kolonoskopia është incizim me kamerë i zorrës së trashë. Kjo procedurë realizohet përmes një tubi fleksibil, i cili në pjesën fillestare ka të vendosur një kamerë.

Përmes kolonoskopisë ne mund të zbulojmë shumë sëmundje të zorrës së trashë; para së gjithash, ne mund ta zbulojmë, trajtojmë (në fazat e hershme) dhe parandalojmë kancerin e zorrës së trashë.

Kanceri kolorektal është shkaku i dytë më i zakonshëm i vdekjes nga kanceri në Shtetet e Bashkuara. Ekzaminimi i rregullt mund të zbulojë tumorin kolorektal kur ai është në fazat e hershme dhe nuk është përhapur, apo të parandalohet duke gjetur dhe hequr polipet, të cilat kanë shanse për t’u shndërruar në tumore.

Po ashtu, përmes kolonoskopisë mund të identifikojmë edhe:

▪ Inflamacionin (pezmatimin) e zorrës së trashë

▪ Divertikulozat - qeska të murit të zorrës së trashë, të cilat mund të infektohen apo të gjakosin dhe të paraqesin rrezik për organizmin, madje edhe vdekjeprurës

▪ Malformimet (angiektazitë) e enëve të gjakut të zorrës së trashë, të cilat janë shkaktarë të shpeshtë të gjakderdhjeve, sidomos te moshat e shtyera

▪ Hemorroidet e brendshme dhe të jashtme, etj.

Cilat simptoma dhe shenja tregojnë se duhet bërë menjëherë kolonoskopia

▪ Barkqitjet ujore apo me gjak - nëse janë përjashtuar shkaktarët infektivë apo barkqitja është kronike (më shumë se 3 javë)

▪ Kapsllëku - nëse perziston edhe përkundër përmirësimit të stilit të jetës, konsumimit të ushqimeve me fibra, aktivitetit fizik, eliminimit të barnave që shkaktojnë kapsllëkun, përjashtimit të problemit të gjëndrës tiroide, etj., atëherë duhet menjëherë të bëhet kolonoskopia

▪ Jashtëqitjet me gjak, sidomos kur pacienti mohon se ka problem me hemorroide, janë shenjë (red flag) që duhet patjetër dhe menjëherë të bëhet kolonoskopia

▪ Humbja e peshës dhe ndjenja e lodhjes pa ndonjë arsye janë shenja të shpeshta të malinjitetit të zorrës së trashë.

Nëse nuk keni simptoma, kur duhet të bëhet kolonoskopia?

Shoqata Amerikane e Kancerit (ACS) ka udhëzime për shqyrtimin e kancerit kolorektal dhe rekomandon që njerëzit me rrezik mesatar për kancer kolorektal të fillojnë shqyrtimin në moshën 45-vjeçare. Por, ata persona me rrezik të lartë, si dhe personat që kanë histori pozitive familjare (dmth. kanë apo kanë pasur ndonjë anëtar të familjes me kancer të zorrës së trashë), atëherë duhet të fillohet edhe më herët.

Në përditësimin më të fundit të udhëzimeve, Shoqata Amerikane e Kancerit (ACS) uli moshën nga 50 vjeç në 45 për shkak se numri i personave të prekur nga kjo sëmundje te njerëzit më të rinj se të 50-tat është në rritje.

Realizimi i kolonoskopisë duke filluar nga mosha 45 vjeç mund të ndihmojë në shpëtimin e më shumë jetëve. Depistimi duhet të bëhet deri në moshën 75-vjeçare, një herë në 10 vjet.

Si bëhet përgatitja

Tri ditë para ekzaminimit preferohet të konsumohet ushqim i lëngshëm me përmbajtje të ulët fibrash. Ndërsa 24 orë para incizimit - vetëm lëngje pa ngjyrë (ujë, lëng molle pa ngjyrë, etj.), si dhe një sasi e lëngut laksativ (të përshkruar nga mjeku juaj).

Sa zgjat procedura e kolonoskopisë

Kolonoskopia diagnostike zgjat deri në 30 minuta, ndërsa nëse është e nevojshme të hiqen polipet apo të merren biopsi, mund të zgjasë më shumë.

lexo po astu

Përfundim

Nëse ju bëni screening kolonoskopie, ju mund të shpëtoni jetë! Një studim i bërë në Shtetet e Bashkuara tek veteranët, nga viti 1997–2010, zbuloi se kolonoskopia ka shoqëruar në rënie të mortalitetit nga kanceri kolorektal në 61%.

Polipet e zorrës së trashë, si dhe lezionet prekanceroze, mund të shoqërohen pa kurrfarë shenje laboratorike apo klinike, prandaj vetëm përmes kolonoskopisë ne mund t’i zbulojmë ato.

Të mendosh për shëndetin do të thotë që mbi moshën 45-vjeçare (te ata me rrezik të lartë apo anëtarë në familje me kancer të zorrës së trashë edhe më herët) të bëni një kolonoskopi. /Telegrafi/