Me datë 14.09.2016 ekipi monitorues i KMDLNj –së , në bazë të mandatit për respektimin e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria ka realizuar një vizitë monitoruese ad-hoc në Qendrën e Mbajtjes në Prishtinë – thuhet në një njoftim.
Të martën në Prishtinë ka ndodhur një përleshje midis disa qytetarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës me ç’rast disa nga ta kanë përfunduar me masë arresti, ndërsa dy kanë pësuar lëndime trupore nga armë zjarri, thuhet më tej.
“Në Qendrën e Mbajtjes në Prishtinë, KMDLNj takoi Y. A dhe A. K të ndaluar për rastin e lartcekur. Sipas mandatit që ka KMDLNj u kërkoi të ndaluarve të deklarohen vetëm për kushtet dhe trajtimin që u kanë bërë Policia e Kosovës, për të cilën ata u shprehen se nuk kishin asnjë vërejtje”.
“Gjatë qëndrimit në Qendrën e Mbajtjes ata pohuan se stafi është sjellë shumë mirë, janë njoftuar me të drejtat që u takojnë, i kanë vizituar mjekët, kanë angazhuar mbrojtës dhe janë njoftuar familjet e tyre. Gjithashtu, edhe në momentin e arrestimit Policia e Kosovës i ka njoftuar të ndaluarit me të drejtat që u takojnë. Qendra e Mbajtjes sa i përket kushteve fizike nuk i plotëson kushtet as për të ndaluarit dhe as për stafin e angazhuar aty”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/