E ardhmja e Bernardo Silvas duket gjithnjë e më larg nga Manchester City, ndërsa Juventusi ka ndërmarrë tashmë hapa konkretë për të bindur mesfushorin portugez të transferohet në Torino.

Një cikël po shkon drejt fundit në Manchester, mesfushori 31-vjeçar ka vendosur të kërkojë një sfidë të re gjatë kësaj vere dhe klubi italian nuk ka humbur kohë.


Sipas raportimeve nga media italiane Tuttosport, Juventusi ka nisur bisedimet zyrtare me përfaqësuesit e lojtarit për të realizuar kalimin e tij në Serie A.

Projekti sportiv i “Zonjës së Vjetër” është mjaft tërheqës për Silvën, i cili synon të mbetet protagonist në një ambient të ri.

Profili i tij përputhet mirë me idetë taktike të skuadrës nga Torino, megjithatë marrëveshja ende nuk është afër finalizimit për shkak të një pengese të rëndësishme financiare.

Pavarësisht mirëkuptimit në aspektin sportiv, diferencat ekonomike mbeten të mëdha.

Kërkesat e mesfushorit portugez, i cili këtë sezon ka zhvilluar 42 ndeshje duke regjistruar 3 gola dhe 5 asistime, tejkalojnë ndjeshëm ofertën aktuale të Juventusit.

Ndërkohë, Silva ka në dispozicion oferta shumë më të majme nga klube të tjera, të cilat mund të komplikojnë planet e bardhezinjve.

Procesi i largimit nga Manchester City tashmë ka nisur, por Juventusi do të duhet të përmirësojë ofertën financiare nëse dëshiron të fitojë garën për shërbimet e tij.

Në Torino mbeten optimistë se historia dhe pesha e fanellës, së bashku me rolin qendror që i ofrohet lojtarit, mund të ndikojnë në vendimin final.

Negociatat janë ende në fazat fillestare dhe çështja e transferimit të Bernardo Silvës pritet të jetë një nga temat kryesore të afatit kalimtar së verës. /Telegrafi/

telegrafi sport app