Këta qilima e bëjnë shtëpinë të duket e vjetruar: Dizajnerët tregojnë çfarë duhet ndryshuar
Një qilim mund ta bëjë dhomën më elegante ose ta prishë gjithë pamjen e saj. Ekspertët zbulojnë cilat stile dhe ngjyra po dalin nga moda
Zgjedhja e qilimit nuk është kurrë vetëm çështje shijeje. Ndryshe nga muret që mund t’i lyeni brenda një fundjave, qilimi zakonisht blihet me idenë që të zgjasë për vite. Pikërisht për këtë arsye dizajnerët e enterierit gjithnjë e më shpesh paralajmërojnë se disa ngjyra dhe stile, që dikur ishin standard, sot mund ta bëjnë hapësirën të duket e vjetruar dhe pa karakter.
Qilimi është shumë më tepër se një dekorim. Ai lidh mobiliet, përcakton atmosferën dhe shpesh bëhet boshti i gjithë dhomës. Por kur ngjyra nuk është e përshtatshme, në vend të ngrohtësisë mund të krijojë ndjenjë ftohtësie ose rrëmujë vizuale.
Pikërisht për këtë arsye ekspertët këshillojnë që disa nuanca dhe stile të lihen gradualisht në të kaluarën, transmeton Telegrafi.

Qilimi gri nuk duket më neutral
Për vite me radhë gri konsiderohej zgjedhje e sigurt. Mendohej si neutral, elegant dhe i lehtë për t’u kombinuar. Sot, megjithatë, dizajnerët thonë se ky trend është konsumuar dhe se qilimi gri shpesh e bën hapësirën të duket e ftohtë dhe pa identitet.
Ndryshe nga muret gri që mund të krijojnë ndjenjë qetësie, qilimi gri shpesh e bën hapësirën të duket i ftohtë dhe i përgjithshëm, pothuajse si një ambient zyre. Nëse dëshironi një bazë neutrale me më shumë jetë, është më mirë të zgjidhni qilim në ngjyrë rëre ose me teksturë natyrore dhe endje të fortë, thotë dizajneri i enterierit Chris Goddard për The Spruce.
Sipas tij, këto tone i japin hapësirës ngrohtësi dhe pamje më natyrore, ndërsa mbeten mjaft neutrale për t’u kombinuar lehtë me pjesën tjetër të enterierit.
Printet e mëdha grafike mund ta mbingarkojnë hapësirën
Qilimat me motive të mëdha gjeometrike ose lulesh ishin shumë të njohur në vitet pesëdhjetë dhe gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar. Sot ato rikthehen herë pas here si trend retro, por dizajnerët paralajmërojnë se duhet përdorur me kujdes.
Problemi është se printet e mëdha e dominojnë shpejt hapësirën. Kur dyshemeja bëhet qendra vizuale, gjithçka tjetër në dhomë duhet t’i përshtatet asaj, gjë që shpesh e vështirëson kombinimin e mobilieve dhe dekorit.
Printet e mëdha grafike ose qilimat me motive të theksuara shpesh bëjnë që hapësira të duket si një kinema ose hotel i lirë, paralajmëron Goddard.
Për këtë arsye shumë dizajnerë sot u japin përparësi teksturave më të thjeshta dhe motiveve diskrete që nuk e mbingarkojnë enterierin.

Qilimi bezhë zbulon shpejt gjurmët e përdorimit
Bezhë për dekada ka qenë sinonim i një shtëpie neutrale dhe elegante. Megjithatë, sot kjo nuancë shpesh jep përshtypjen e një enterieri që ka mbetur në estetikën e viteve tetëdhjetë.
Përveç kësaj, qilimat bezhë kanë edhe një problem tjetër: shumë shpejt tregojnë gjurmët e jetës së përditshme. Pluhuri, njollat dhe shenjat e përdorimit bëhen të dukshme shumë më shpejt se te ngjyrat e tjera.
– Ngjyrat neutrale të çelëta si bezha duken shumë bukur kur vendosen për herë të parë, por pas disa javësh përdorimi zbulojnë lehtësisht papastërtinë dhe konsumimin e përditshëm, shpjegon Goddard.
Nuancat blu dhe jeshile mund të jenë zgjedhje e mirë, por me masë
Nuancat si jeshilja avokado, smeraldi apo tirkizja e fortë shënuan enterieret nga vitet gjashtëdhjetë deri në vitet tetëdhjetë. Sot ato rikthehen herë pas here si trend nostalgjik, por vetëm kur kombinohen me kujdes me pjesën tjetër të hapësirës.
Goddard mendon se këto ngjyra mund të duken shumë efektive, por vetëm nëse përdoren me mend dhe në harmoni me enterierin.
– Më pëlqejnë qilimat me ngjyra të thella dhe nuk është keq të luhet me blu dhe jeshile. Ato funksionojnë veçanërisht mirë kur muret dhe elementet dekorative janë në tone të ngjashme, sepse hapësira fiton harmoni dhe thellësi, thotë ai.
Me fjalë të tjera, problemi nuk qëndron te vetë ngjyra, por te mënyra si ajo përshtatet me tërësinë e hapësirës. Qilimi mund të mbetet një element i fortë vizual, por vetëm nëse nuk përpiqet të jetë ylli i vetëm i dhomës. /Telegrafi/



























