Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se ka ndaluar një banor të Kosovës i cili kërkohej nga autoritetet gjermane.

Në njoftimin për media të Policisë së Shtetit bëhet e ditur se i dyshuar kërkohet për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”.


“Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të imtësishme në hyrje/dalje, me objektiva goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilët tentojnë të lëvizin ilegalisht për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës, ndaluan në hyrje shtetasin kosovar S. M., 27 vjeç, banues në Kosovë.

Nga verifikimet e kryera dhe nga informacioni i shkëmbyer me partnerët gjermanë, nëpërmjet Interpol Tiranës, rezultoi se ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata lokale e Mynihut kishte nxjerrë ndaj tij urdhër-arrest ndërkombëtar, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”, me maksimum dënimi deri në 10 vjet burg”, thuhet në njoftim.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Gjermani, vijon procedurat për ekstradimin e 27-vjeçarit. /Telegrafi/