Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka ngritur shqetësime serioze lidhur me seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës të thirrur për datën 27 nëntor, duke e cilësuar atë si të paligjshme dhe në kundërshtim me standardet demokratike.

Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar publikisht, duke theksuar se kjo seancë është “po aq – e në disa aspekte edhe më – e paligjshme” sesa seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës, ku ishte paraparë votimi i buxheteve dhe disa pikave të rëndësishme.


Cakolli ka paralajmëruar se institucionet të cilave u ka përfunduar legjitimiteti nuk kanë të drejtë të marrin vendime që krijojnë detyrime apo pasoja për institucionet e ardhshme.

“Institucionet pa legjitimitet të plotë dhe pa e ndjekur rendin logjik të gjërave nuk mund të marrin vendime që prodhojnë pasoja, detyrime financiare apo politike për institucionet pasardhëse”, ka shkruar ai.

Ai ka vlerësuar se është e pakuptimtë që një legjislaturë që ka përfunduar mandatin e saj të marrë vendime që do të prekin një legjislaturë tjetër e cila pritet të marrë detyrën brenda pak ditësh.

“Nuk ka asnjë sens logjik, e lëre më ligjor, që një legjislaturë që e ka mbyllur mandatin e saj të marrë vendime për një legjislaturë që e merr mandatin pas disa ditësh. Rolet dhe qëndrimet politike mund të ndryshojnë, por parimet jo”, ka theksuar Cakolli.