Kanceri i prostatës, doktori Fahredin Veselaj tregon cilat janë simptomat dhe çfarë analize rekomandohet për zbulimin e hershëm

Kanceri i prostatës është një nga temat për të cilat ka folur doktori Fahredin Veselaj në podcastin “Shëndeti në rend të parë”.
Veselaj bëri të ditur se kanceri i prostatës zhvillohet në pjesën gjëndërore të prostatës dhe sipas tij, pas moshës 50 vjeçare është më i shpeshtë, por ka raste kur ndodh edhe në moshën 40-vjeçare ndonëse janë të rralla.
“Pas moshës 45 vjeçare kur fillojnë ndryshimet në gjëndrat e prostatës ndonjëherë ato ndryshime zhvillohen në drejtim të keq, në drejtim të kancerit. Si i tillë, kanceri i prostatës paraqitet kryesisht pas moshës 40 vjeçare.
Në moshën 40-50 vjeçare ndodh ekstrem rrallë, por pas moshës 50 vjeçare është më e shpeshtë”, tha ai.
“Megjithatë është një fat që zbulimi i kancerit të prostatës megjithatë ka mundësi të bëhet herët për faktin se prostata prodhon një proteinë që quhet PSA e cila ka mundësi si analizë e rregullt të bëhet kohë pas kohe... Prandaj, rekomandohet që mashkull pas moshës 40 vjeçare të bëj PSA”, tha ai.
Pjesën ku doktor Veslaj flet më gjerësisht për kancerin e prostatës mund ta ndiqni nga minuta 42:10. /Telegrafi/


































