LAJMI I FUNDIT:

“Kalorësi i lirisë” në artin muzikor shqiptar – 2018

“Kalorësi i lirisë” në artin muzikor shqiptar – 2018

Në kuadër të 550 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, edhe artistët tanë të shquar, po i bashkëngjiten shumë projekteve për të shënuar me dinjitet këtë datë të rëndësishme nga mbamendja jonë kombëtare.

Këngëtari, kompozitori dhe autori i tekstit, Ilir Shaqiri, bashkë me këngëtarët Arif Vladi dhe Nikolë Nikprelaj, së shpejti do të editojnë këngën me titull “Kalorësi i lirisë” me muzikë dhe orkestrim nga Edmond Zhulali. Pjesë e këtij projekti do të jetë kori dhe orkestra revyale e Prishtinës me dirigjent Valton Beqirin e regjisor Astrit Idrizin, kurse realizimi – RTV 21.

“Kalorësi i lirisë” pritet të jetë një realizim brilant meqë, autorët e kësaj kënge janë artistë të dëshmuar të skenës shqiptare.


Projekti është në realizim e sipër, kurse do të vijë para audiencës në fillim të nëntorit.

Të përkujtojmë se me vendimin e Qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, ky vit, në tërësi është shpallur Viti i Skënderbeut.

Kalorësi i lirisë

Toka e qielli po lëshojnë flakë
Vetëtinë e tundet dheu
300 burra luftëtarë
Po u prin Skënderbeu…

Vjen kushtrimi anembanë
Bijtë e Arbrit po i thërret
Hapen shtigjet nga çdo anë
I bekoi Zoti vet!

Ulen shqipet mbi kështjella
Kuvendojnë prijësit shqiptarë
Shpata Gjergjit si rrufe
Ndër beteja fitimtar…

……………..

Sa beteja i fituam
I ka njohur historia
Shpëtimtar të njeh Evropa
Dritë në sy të ka liria!

Lart në qiell të rri lavdia
Krenaria jonë ti je
Kur më pyesin nëpër botë
Jam shqiptar – Skënderbe!

Refreni:
Skënderbe o princ shqiptar
Monument në histori
Je shqiponjë e diell mbi mal
Në atdheun kuqezi!

O kalorës i lirisë
Krenaria jonë kombëtare
Rreth flamurit të bashkimit
Me ty vjen…
Me ty vjen besëlidhja e madhe!

/Telegrafi/