KALIGULA

Poezi nga: Zbigniew Herbert
Përktheu nga anglishtja (bazuar në përkthimin nga polonishtja në anglisht nga Alissa Valles): Agron Shala
Duke lexuar kronika të vjetra, epika dhe biografi, z. Kogito herë pas here ndihet i bindur për praninë fizike të njerëzve qëmoti të vdekur.
KALIGULA THOTË:
Midis gjithë qytetarëve të Romës
desha vetëm njërin
kalin tim - Incitatin
kur hyri në Senat
toga e tij e bardhë pa njollë
shkëlqente e papërlyer mes vrasësve qyqarë të veshur me purpur
Incitati kishte shumë virtyte
kurrë nuk foli në publik
kishte natyrë stoiku
mendoj se natën në stallën e tij duhet të ketë lexuar filozofët
e desha aq shumë sa një ditë vendosa ta kryqëzoja
por anatomia e tij fisnike nuk e lejoi këtë
ai e pranoi titullin e konsullit me shpërfillje
e ushtroi pushtetin në mënyrën më të mirë të mundshme
domethënë nuk e ushtroi fare
nuk ia dolëm dot ta shtynim drejt një lidhjeje të qëndrueshme
me gruan time të dashur Cezoninë
dhe kështu për fat të keq nuk lindi asnjë linjë e perandorëve kentaurë
prandaj Roma ra
vendosa ta shpallja zot
por në ditën e nëntë para kalendave të shkurtit
Herea Kornil Sabini dhe ca budallenj të tjerë penguan planin tim të devotshëm
lajmin e vdekjes sime e priti me qetësi
u dëbua nga pallati dhe u syrgjynos
e përballoi atë goditje me dinjitet
vdiq pa pasardhës
i therur nga një kasap lëkurëtrashë nga qyteti i Antiumit
mbi fatin e mishit të tij pas vdekjes
Taciti nuk thotë asgjë


















































