I vetëdijshëm për rrezikun e humbjes së Denzel Dumfries gjatë verës së ardhshme, Interi ka nisur lëvizjet për të siguruar një alternativë të re në krahun e djathtë të mbrojtjes.

Në këtë kuadër, klubi zikaltër ka vënë në shënjestër Rafik Belghalin, mbrojtësin e Hellas Veronas, i cili po ashtu është në planet e Juventusit.


Sezoni i kaluar rezultoi i lodhshëm për Interin, i cili mbërriti pa energji në fazën vendimtare të garave, duke humbur garën për Scudetton dhe Ligën e Kampionëve.

Ky konsum fizik u reflektua edhe në Kupën e Botës për Klube.

Megjithatë, skuadra duket se ka “rifilluar nga e para” nën drejtimin e trajnerit Cristian Chivu.

Sa i përket strategjisë së afateve kalimtare, drejtuesit e Interit synojnë të forcojnë repartin e mbrojtjes në krahun e djathtë.

Kjo lidhet drejtpërdrejt me interesimin e klubeve të tjera për Dumfries, çka ka shtyrë klubin të identifikojë alternativa brenda Serie A.

Rafik Belghali, në radarët e Interit dhe Juventusit

Sipas gazetarit të njohur Nicolo Schira, Interi, nënkampion i Italisë dhe i Ligës së Kampionëve është impresionuar nga paraqitjet e Rafik Belghalit 23 vjeç, me fanellën e Hellas Veronas.

Performancat e tij të qëndrueshme nuk kanë kaluar pa u vënë re, duke tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha.

Në veçanti, Juventusi synon të lëvizë shpejt për të parakaluar Interin në këtë duel të afatit kalimtar.

Belghali ka kontratë me klubin nga Veneto deri në qershor të vitit 2029, ndërsa Hellas Verona është e vetëdijshme për presionin që do të rritet rreth futbollistit të tij.

Mbrojtësi po vlerësohet shumë si nga bardhezinjtë, ashtu edhe nga zikaltërit, duke u shndërruar në një nga emrat më të përfolur të momentit në Serie A. /Telegrafi/

telegrafi sport app