Juventusi ka vënë në shënjestër mbrojtësin e Arsenalit, Jakub Kiwior, si zëvendësues të mundshëm për Lloyd Kelly, në rast se ky i fundit largohet gjatë afatit kalimtar të verës, raportojnë mediat italiane.

Sipas Gazzetta dello Sport, Kiwior është në krye të listës së dëshirave të “Zonjës së Vjetër” për repartin defensivë, nëse angazhimi me Kellyn përfundon para kohe.


Kelly iu bashkua Juventusit në janar si huazim nga Newcastle United, me detyrim blerjeje prej 17.5 milionë euro, që u konkretizua më pas në një transferim të përhershëm.

Që nga mbërritja në Torino, 26-vjeçari ka qenë një element kyç, me 29 paraqitje në të gjitha kompeticionet, duke fituar besimin e stafit teknik.

Megjithatë, interesi në rritje nga klubet e Ligës Premier ka rikthyer në dyshim të ardhmen e tij te bardhezinjtë, me mundësinë reale që ai të rikthehet në Angli.

Në rast të një largimi të tillë, Juventus është gati të veprojë shpejt, duke synuar nënshkrimin me Jakub Kiwior, i cili shihet si profili ideal për të forcuar prapavijën.

Mbetet të shihet në javët në vijim nëse zhvillimet në afatin kalimtar do ta shtyjnë “Zonjën e Vjetër” drejt një oferte zyrtare për mbrojtësin polak. /Telegrafi/

telegrafi sport app