“Jam kushëri i ish-kryeministres, po më deportuat më vrasin!”, ish-oficeri nga Bangladeshi kërkon azil në Shqipëri

Një ish-zyrtar i lartë i policisë së Bangladeshit ndodhet prej disa muajsh në burg në Shqipëri, ku po kërkon azil politik. Ai është biznesmeni Sohel Rana, një nga personat më të kërkuar në vendin e tij për një mashtrim të madh financiar përmes kompanisë online E-Orange.
Rana i cili është edhe ish-inspektor i policisë në Daka, pretendon se është i afërm i ish-kryeministres së Bangladeshit, Sheikh Hasina, dhe se u largua nga vendi për arsye politike. Ai thotë se kthimi në atdhe do t’i rrezikonte jetën, pasi mund të përballej edhe me dënimin me vdekje.
Gazeta e përditshme në Bangladesh “Prothom Alo” shkruan se zyrtarë të Policisë së Bangladeshit kanë konfirmuar janë dërguar disa kërkesa zyrtare për ekstradimin e tij, por deri më tani nuk ka patur asnjë përgjigje nga pala shqiptare. “Sohel Rana është aktualisht në burg në Shqipëri. Ne i kemi dërguar letra të shumta selisë së policisë shqiptare duke kërkuar riatdhesimin e tij, por ata nuk janë përgjigjur.,” deklaroi zëdhënësi i Policisë së Bangladeshit, AHM, Shahadat Hossain.
Sohel Rana është i akuzuar në të paktën nëntë çështje penale në Daka, për përvetësim fondesh, mashtrim dhe pastrim parash, me një dëm ekonomik që vlerësohet në mbi 11 miliardë taka (rreth 93 milionë euro). Ai është gjithashtu subjekt i një njoftimi të kuq të Interpolit, të lëshuar në vitin 2022.
Pas shpërthimit të skandalit financiar në vitin 2021, Rana u arratis nga Bangladeshi në Indi, ku u arrestua nga forcat kufitare indiane teksa përpiqej të kalonte në Nepal. Ai u dënua me dy vite burg për hyrje të paligjshme dhe, pas lirimit me kusht për arsye shëndetësore, u zhduk sërish. Hetuesit bangladeshas arritën të gjurmojnë më pas lëvizjet e tij në Portugali dhe më tej në Shqipëri, ku u arrestua më 1 shkurt të këtij viti në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit.
Avokati i tij ka deklaruar në një emision televiziv, se sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Shqipëria nuk mund të ekstradojë një person në një vend ku ai mund të përballet me dënimin me vdekje.
Ndërkohë, mediat në Bangladesh raportojnë se Rana ka depozituar një kërkesë për azil politik në gjykatat shqiptare, duke pretenduar se ndaj tij ekziston edhe një akuzë e rreme për vrasje, çka sipas tij do ta çonte drejt ekzekutimit nëse kthehej në atdhe. Por policia në Bangladesh ka mohuar ekzistencën e një kallëzimi të tillë penal.
Hetimet ndaj tij vazhdojnë, ndërsa autoritetet e Bangladeshit kanë kërkuar nga Interpoli rinovimin e urdhërarrestit ndërkombëtar, me qëllim që Sohel Rana të ekstradohet dhe të përballet me drejtësinë për mashtrimin që ka prekur mijëra qytetarë në vendin e tij.




















































