Italia pa fitues të qartë

Kampi i qendrës së majtë i Pier Luigi Bersanit fitoi 29,55 për qind të votave, kundrejt 29,17 për qind të fituara nga ish-kryeministri Silvio Berluskoni. Ish-humoristi Beppe Grillo dhe grupi i tij politik arritën një rezultat mjaft të mirë duke siguruar mbështetjen e gjerë të votuesve të pakënaqur me klasën politike në pushtet. Lëvizja e tij me Pesë Yje mori 25,54 për qind të votave, ndërsa aleanca e kryeministrit në detyrë Mario Monti fitoi 10,56 për qind, transmeton BalkanWeb.
Pasiguria politike në Itali duket të jetë një sinjal mjaft negativ lidhur me përpjekjet e vendit për të miratuar reformat e rëndësishme që nevojiten për të kaluar krizën ekonomike të vendit dhe për të parandaluar fillimin e një krize të re globale financiare.
Por një qeveri e qëndrueshme mund të ngrihet vetëm nëse një aleancë partishë merr shumicën në të dy dhomat. Në dhomën e dytë të parlamentit, Senat, asnjë prej kampeve nuk arriti shumicën e nevojshme prej 158 vendesh. Aleanca e Bersanit mori atje 113 vende, pasuar nga kampi i Berlusconit me 116 vende. Partneri i mundshmën në koalicion i Bersanit, kryeministri në largim Mario Monti, me 19 mandatet e tij nuk mund të sigurojë një shumicë të qartë.
Koalicioni i profesorit të ekonomisë, pa përkatësi partiake, shënoi rezultat të dobët edhe në dhomën e deputetëve. I respektuar jashtë vendit për reformat e tij, të cilat në Itali kanë sjellë një ngushticë akute financiare, Monti u fajësua nga bashkëqytetarët për situatën e vështirë si pasojë e kursimeve masive.
Fitimtari i vërtetë
Fitimtari i vërtetë i këtyre zgjedhjeve është megjithatë ish-humoristi Beppe Grillo, i cili me lëvizjen e tij të protestës Pesë Yjet, arriti të marrë 25 për qind të votave. Opinioni për Grillon dhe lëvizjen e tij është i ndarë: përkrahës vijnë kryesisht nga radhët e të rinjve.
Grillo ka përjashtuar sidoqoftë paraprakisht aleanca të mundshme me partitë e etabluara. Kështu qeverisja në Itali e madje edhe krijimi i një qeverie duket se do të jenë të vështira.
Përbërja e parlamentit pas zgjedhjeve
Më poshtë vijon përbërja e Parlamentit italian pas zgjedhjeve legjislative të 24 dhe 25 shkurtit, sipas rezultateve të publikuara nga faqja e internetit të Ministrisë së Brendshme, me detaje në përqindje dhe në vende, për katër partitë kryesore:
* Në senat, koalicioni i majtë drejtuar nga Pier Luigi Bersani, shef i Partisë Demokrate (PD), mori maxhorancën relative me 123 vende nga 315 që numëron Dhoma e Lartë, ku 109 i përkasin PD-së (mes të cilave katër për të përfaqësuar italianët që jetojnë jashtë vendit), shtatë aleatit kryesor SEL (e majtë, ekologji, liri) dhe gjashtë senatorëve të tjerë të lëvizjes.
Në kuadër të votave, koalicioni i majtë ka siguruar 31,63 për qind të votave, 27,43 për qind të të cilave janë për PD dhe 2,97 për qind për SEL.
* Koalicioni i djathtë i Silvio Berlusconit fitoi 30,72 për qind të votave, 22,30 për qind të të cilave për PDL e Kavalieres dhe 4,33 për qind për aleatin kryesor, Lidhjen e Veriut.
Në kuadër të vendeve, e djathta ka 117 vende, 98 prej të cilave janë për PDL dhe 17 për Lidhjen e Veriut.
Ajo nuk ka asnjë vend mes italianëve jashtë vendit.
* Lëvizja Pesë Yjet (M5S) e Beppe Grillos ka siguruar 54 vende me 23,79 për qind të votave, ndërkohë që koalicioni i qendrës i Mario Montit, me 9,13 për qind të votave, mori 18 vende të cilave i shtohet një senator që përfaqëson italianët jashtë vendit.
* Dy senatorët e fundit janë ai i Val D'Aoste që konsiderohet i distancuar nga partitë dhe senatori i zgjdheur jashtë një lëvizje analogjike.
* Në dhomën e deputetëve, koalicioni i majtë ka maxhorancën absolute me 345 vende nga 630.
* Në detaj, ajo siguroi 29,54 për qind të votave, 25,42 për qind për PD dhe 3,20 për SEL.
* Nga 345 vende që iu atribuan atij, pesë prej të cilave nga 12 të rezervuar për italianët që jetojnë jashtë, PD mori 296 dhe SEL 37.
* E djathta mori 29,18 për qind të votave, 21,56 për qind për PDL dhe 4,08 për qind për Lidhjen.
Ajo mori në total 125 vende duke përfshirë një mes italianëve jashtë vendit, 98 prej të cilave për PDL dhe18 për Lidhjen e Veriut.
* Beppe Grillo siguroi 108 deputetë me 25,55 për qind të votave plus një të zgjedhur jashtë vendit, në total 109 vende.
* Centristët e Montit morën 45 vende me 10,56 për qind të votave plus dy deputetë jashtë vendit duke marrë në total 47 vende.
* Tre deputetët e fundit i përkisnin dy lëvizjeve të vogla italiane jashtë vendit.
Zgjedhje të reja?
Për ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës dhe të gjithë BE-së, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare u vu shumë në lojë. Deutsche Welle shkruan se vendimtare është se sa shpejt do të krijohet një qeveri e qëndrueshme në vendin e zhytur në recesion të thellë.
Mediet në Itali reaguan me indinjatë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve: "Corriere della Sera" foli për "zgjedhje tronditëse", të cilat do të kenë si pasojë bllokimin e parlamentit. "La Repubblica" mendon se qeverisja është e pamundur.
Me mazhoranca të ndryshme në të dy dhomat nuk është i mundur krijimi i asnjë qeverie, u shpreh edhe Stefano Fassina nga Partia Demokratike e Bersanit. Disa kolegë partie të Bersanit spekulojnë madje që tani për mundësinë e zgjedhjeve të reja, pas një reforme të ligjit të komplikuar elektoral. Kryeministri në largim Mario Monti, bëri thirrje të mos vihen në lojë "sakrificat e deritanishme të popullit italian". /Telegrafi/




















































