Tryezë me familjet strehuese në Ditën Ndërkombëtare të Familjes në Istog
Me rastin e shënimit të 15 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Familjes, Sektori për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitete, në kuadër të Drejtorisë për Administratë Komunale në Komunën e Istogut, ka organizuar një tryezë diskutimi me familjet strehuese të kësaj komune.
Qëllimi i tryezës ishte të dëgjohen përvojat, nevojat dhe sfidat me të cilat përballen familjet strehuese gjatë kujdesit për fëmijët pa përkujdesje prindërore, të cilët janë të keqtrajtuar apo të neglizhuar nga familjet e tyre biologjike.
Në takim u diskutua hapur mbi vështirësitë gjatë procesit të strehimit, nevojat për mbështetje institucionale, si dhe rëndësia e ndarjes së përvojave mes familjeve që kanë rol kyç në mbrojtjen e fëmijëve në situata të rënda sociale.
Po ashtu, gjatë tryezës u theksua rëndësia e krijimit të mekanizmave të mbështetjes së vazhdueshme dhe të qëndrueshme për këto familje, duke nënvizuar se roli i tyre është i pazëvendësueshëm në ofrimin e sigurisë dhe përkujdesjes për fëmijët pa përkujdesje prindërore./Telegrafi/






























