A ishte me të vërtetë Ingmar Bergmani nazist?

Nga: Alexander Larman / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Gjatë jetës së tij, dhe pas saj, regjisori Ingmar Bergman është konsideruar gjerësisht si gjeni. Megjithatë, edhe gjeniut nuk i mungojnë të metat, dhe Bergmani kishte plot të tilla: pretendime (që vetë i bëri publike, përpara se të ndryshonte mendje) se kishte përdhunuar një ish-partnere; arrestimi i turpshëm për evazion fiskal dhe, më famëkeqi nga të gjitha, pretendimi se kaloi rininë si përkrahës i bindur i nazizmit dhe se kishte vajtuar vdekjen e Hitlerit.
Historia e fundit dhe më e dëmshme është rikthyer së fundmi në vëmendjen e publikut falë aktorit Stellan Skarsgård. Derisa Skarsgård merrte pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Karlovi Vari, në Republikën Çeke - ku po promovonte filmin e ri të vlerësuar të Joachim Trierit, Vlera sentimentale [Affeksjonsverdi], në të cilin luan rolin e një regjisori në stilin e Bergmanit, me emrin Gustav Borg - atij iu bë një pyetje rreth marrëdhënies së tij me vetë Ingmar Bergmanin. (Ai kishte luajtur për të në vitet ’80 të shekullit XX, në një prodhim skenik të dramës së Strindbergut, Një lojë ëndrre / Ett drömspel.)
Skarsgård nuk i zbuti fjalët. “Bergmani ishte manipulues. Gjatë luftës ai ishte nazist dhe është i vetmi person që njoh që ka qarë kur vdiq Hitleri. Ne vazhdimisht i gjenim justifikime, por kam ndjesinë se ai kishte një këndvështrim shumë të çuditshëm ndaj njerëzve të tjerë. Ai mendonte se disa njerëz nuk ishin të denjë. E ndjeje kur manipulonte të tjerët. Nuk ishte një njeri i mirë”.
Skarsgård e pranoi se Bergmani mbetet një artist i madh - edhe nëse jo një njeri i mirë. “Marrëdhënia ime e ndërlikuar me Bergmanin lidhet me faktin se ai nuk ishte një person i mirë”, shpjegoi ai. “Ishte një regjisor i mirë, por mund të thuash për dikë se është trap, edhe nëse është i talentuar. Caravaggio ndoshta ishte gjithashtu trap, por realizoi piktura të mëdha”.
Skarsgård nuk komentoi mbi ndonjë zbulim të ri, por megjithatë deklaratat e tij kanë shkaktuar njëfarë buje - jo më pak sepse Bergmani, i cili vdiq në vitin 2007, konsiderohet gjerësisht si një nga regjisorët më të rëndësishëm dhe më me ndikim të kinemasë botërore.
Që nga shpërthimi i tij në skenën ndërkombëtare në vitet ‘50 të shekullit XX me filmat Buzëqeshjet e një nate vere [Sommarnattens leende] dhe veçanërisht me veprën kryesore Vula e shtatë [Det sjunde inseglet] e deri te klasikë si Britma dhe pëshpëritje [Cries and Whispers], Fani dhe Aleksandri [Fanny och Alexander] dhe Persona, Bergmani u bë sinonim i një kinemaje sfiduese, gjithmonë në kërkim të kufijve të rinj artistikë që tërhiqte njëherazi publikun dhe kolegët.
Martin Scorsese ka thënë se “është e pamundur të mbivlerësohet ndikimi që filmat e Bergmanit kanë pasur te njerëzit”, ndërsa Stanley Kubrick i kishte shkruar privatisht regjisorit suedez: “Vizioni yt për jetën më ka prekur thellë, shumë më thellë se çdo film tjetër që kam parë ndonjëherë. Besoj se je regjisori më i madh që punon sot”.
Woody Allen shkoi edhe më tej, jo vetëm duke e quajtur Bergmanin “ndoshta artistin më të madh të filmit - duke marrë parasysh gjithçka - që nga shpikja e kamerës kinematografike”, por edhe duke realizuar disa filma, përfshirë Interierët [Interiors] dhe Një grua tjetër [Another Woman] që ishin ashiqare homazhe për regjisorin suedez. Filmi i tij i vitit 1982, Një komedi seksuale e një nate vere [A Midsummer Night’s Sex Comedy] ishte një rikrijim i lirshëm i Buzëqeshjeve të një nate vere.
Admirimi i Allenit për Bergmanin ishte aq i madh, saqë edhe kur rishikoi me superlativa kujtimet e veta për New York Times në vitin 1988, nuk e pa të nevojshme të përmendte asnjë prej zbulimeve problematike. “Pamja që krijohet”, shkroi ai, “është ajo e një shpirti shumë emocional, që nuk përshtatet lehtë me jetën në këtë botë të ftohtë dhe mizore”. Megjithatë, linja partiake e idhullit të tij ishte të pranonte një flirt rinor me fashizmin, diçka që ai e kishte braktisur prej kohësh kur u bë një nga regjisorët më të respektuar në botë.
Bergmani pa për herë të parë Hitlerin kur ishte 16 vjeç, gjatë një shkëmbimi shkollor në Gjermani në vitin 1934, ku mikpritësi i tij, Hannes - mbështetës i Rinisë Hitleriane - e çoi në një miting në Republikën e Vajmarit. I riu i impresionuar e përshkroi më vonë diktatorin si “jashtëzakonisht karizmatik ... ai e elektrizonte turmën”.
Babai i Hannesit, një klerik, ishte aq i impresionuar nga Fyreri saqë e mbushi shtëpinë me imazhe të tij dhe i dhuroi Bergmanit një fotografi të Hitlerit për ditëlindjen e tij të 17-të, “që këtë njeri ta kesh gjithmonë përpara syve”. Kur i riu suedez, që përpiqej të përshtatej me ambientin, e pyeti në cilin moment të mitingut duhej të thoshte “Heil Hitler”, pastori iu përgjigj: “Kjo konsiderohet më shumë sesa thjesht mirësjellje, i dashur Ingmar”.
Sipas vetë Bergmanit, kur u kthye në Suedi, ai ishte një “fanatik pro-gjerman”, i joshur dhe i mahnitur nga Hitleri dhe gjithçka që kishte të bënte me Nacional-Socializmin.
Fatkeqësisht, ai u gjend në një ambient të përafërt ideologjik. Babai i tij, Erik - i cili më vonë do të frymëzonte figurën e ashpër të babait në filmin Fani dhe Aleksandri - ishte një figurë pa asnjë pendesë nga e djathta ekstreme, që besonte se Hitleri ishte zgjidhja për problemet e botës. Siç i tha Bergmani shkrimtares Maria-Pia Boëthius në vitin 1999 - ndërsa ajo po hulumtonte për neutralitetin e pretenduar të Suedisë gjatë Luftës së Dytë Botërore - “Nazizmi që kisha parë më dukej argëtues dhe rinor. Kërcënimi i madh ishin bolshevikët, të cilët ishin të urryer”.
Megjithëse vetë regjisori nuk mori pjesë në veprime të hapura antisemitike, vëllai i tij, Dag, bashkë me disa miq, sulmuan shtëpinë e një burri hebre lokal, duke mbuluar muret me simbole të svastikave. (Dag më vonë arriti të bëhej diplomat i respektuar.)
Bergmani përjetoi më pas një pasojë të vogël, por tronditëse, të lidhjes së tij me Gjermaninë naziste. Kur ai vizitoi vendin, krijoi një miqësi me një vajzë lokale të quajtur Renata dhe filloi një korrespondencë me të. Por, ky letërkëmbim u ndërpre papritur kur Renata dhe familja e saj thjesht u zhdukën një ditë. Natyrisht, ata ishin hebrenj.
Megjithëse Bergmani kaloi një periudhë të detyrueshme në shërbimin ushtarak në Suedi, ai nuk ka marrë pjesë në luftë. Po të kishte marrë, është e mundur që besnikëria e tij do të ishte me Gjermaninë. Ndryshe nga Dagu, megjithatë, ai nuk ishte kurrë anëtar i Partisë Nacional-Socialiste Suedeze, për të cilën vëllai i tij ishte përgjegjës për ta themeluar dhe drejtuar.
Megjithatë, siç ka shkruar në kujtimet e vitit 1987, Feneri magjik [Skioptikon], “për shumë vite, isha në anën e Hitlerit, i kënaqur nga sukseset e tij dhe i trishtuar nga disfatat”. Zgjimi i vërtetë për të erdhi pak pas përfundimit të luftës dhe rrëzimit të regjimit të Hitlerit. “Kur u hapën dyert e kampeve të përqendrimit, fillimisht nuk doja të besoja atë që shihja”, tha ai më vonë. “Kur doli e vërteta, ishte një tronditje e tmerrshme për mua. Në mënyrë brutale dhe të dhunshme, u çrrënjosa papritur nga pafajësia ime”.
Ata që kanë tentuar të justifikojnë marrëzitë e rinisë së Bergmanit, argumentojnë se megjithëse ai nuk e mohoi plotësisht Hitlerin dhe nazizmin deri në vitin 1946 - kur kuptoi se çfarë e kishte mahnitur - ajo përballje ishte një tronditje e thellë që i ndryshoi rrjedhën e jetës dhe karrierës.
Siç i tha mikut dhe producentit të tij, Jörn Donner: “Ndjenjat e mia ishin dërrmuese dhe ndjeva hidhërim të madh ndaj babait tim, vëllait dhe mësuesve të shkollës dhe të gjithë të tjerëve që më kishin çuar drejt asaj rruge. Por, ishte e pamundur të shpëtoja nga faji dhe përbuzja për veten”.
Pas kësaj, shumë nga filmat dhe produksionet e tij teatrale trajtonin në mënyrë të drejtpërdrejtë të keqen e shkaktuar nga regjimi nazist - qoftë përmes filmit në anglisht, Veza e gjarprit [The Serpent’s Egg, 1977], ngjarja e të cilit zhvillohet në Berlinin e vitit 1932, apo përmes vendimit për të vënë në skenë në Stokholm dramën Hetimi [Die Ermittlung] të Peter Weissit, për gjyqet e Aushvicit, në vitin 1966.
Disa nga filmat më të vlerësuar të tij e trajtojnë këtë temë në mënyrë më të tërthortë, përmes ndjenjës së fajit dhe mungesës së komunikimit të shkaktuar nga konfliktet - përfshirë Heshtjen [Tystnaden, 1963], që ndjek udhëtimin e dy motrave dhe që u frymëzua nga qëndrimi i Bergmanit në Gjermani pas luftës; si dhe Turpi [Skammen, 1968], ku një martesë, dhe një vend pa emër, shkatërrohen nga një luftë civile.
Do të ishte e rëndësishme t’i nxirrnim në pah këta filma si një kërkimfalje të drejtpërdrejtë për besimet e tij të hershme - të cilat, në çdo rast, nuk ishin të njohura gjerësisht deri në botimin e kujtimeve - por, nuk ka dyshim se ato ndikuan tek ai.
Gjithashtu do të ishte gabim të merrje deklaratat e Bergmanit fjalë për fjalë. Siç tha në vitin 2019, Jane Magnusson, regjisore e dokumentarit Bergmani: Një vit në jetë [Bergman - ett år, ett liv]: “Fakti që ai kishte simpati për Hitlerin ... ai donte të fliste për këtë. Dhe, askush tjetër nuk donte. Ai ishte thuajse i vetmi në Suedi kur, në vitet ’80 të shekullit, doli hapur dhe tha: ‘Shkova në Gjermani, isha në Vajmar gjatë paradës dhe bërtita ‘Heil Hitler’! Dhe, më pëlqeu kjo’”.
“Është e tmerrshme që nuk e refuzoi Hitlerin para vitit 1946. Është shumë vonë. Ky është problemi. Por, nuk mendoj se Bergmani mendonte se Hitleri ishte një ide e mirë sepse ai urrente hebrenjtë. Suedia kishte shumë frikë nga Rusia, në atë kohë, dhe mendoj se ai thjesht mendonte se kjo ishte më mirë sesa ajo që po ndodhte atje”.
Gjithashtu është e mundshme që Bergmani nuk i hoqi kurrë plotësisht bindjet e hershme të djathta. Regjisori Roy Andersson, i cili studioi në Shkollën e Filmit të Institutit Suedez në fund të viteve ’60 të shekullit XX, vuri re: “Bergmani ishte një lloj inspektori i shkollës ku studioja dhe çdo semestër na thërriste në zyrën e tij, na jepte këshilla - madje edhe ndonjë kërcënim - dhe thoshte: ‘Nëse nuk ndaloni së realizuari filma të majtë ... nëse vazhdoni kështu, nuk do të keni kurrë mundësi të bëni filma artistikë. Do të ndikoj te bordi që t’ju ndalojë’”.
Bergmani shpesh e përshkruante, si ngjarjen më traumatike të jetës së tij, arrestimin në vitin 1976, për evazion fiskal. Akuzat më pas u hodhën poshtë, por ngjarja e detyroi të largohej nga Suedia për në Munih. Prej andej, ai vazhdoi karrierën e tij, megjithëse me më pak sukses artistik. Kjo ndodhi deri në rikthimin e tij në Suedi, në vitin 1982, me Fanin dhe Aleksandri - një epope që shpesh konsiderohet si arritja kulmore e tij - me çfarë sërish realizoi një film shumë të vlerësuar. /Telegrafi/


















































