Ishte shumë afër zemrës së tij - detaje rreth rastit në të cilin kirurgët hoqën granatën e pashpërthyer nga gjoksi i ushtarit ukrainas

Një granatë e pashpërthyer është hequr nga gjoksi i një ushtari ukrainas.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, imazhet para dhe pas të publikuara nga shërbimi mjekësor i forcave të armatosura të Ukrainës tregojnë pajisjen afër zemrës së ushtarakut dhe një tjetër të kirurgut që mban pajisjen e lyer me gjak.
Aty është thënë se dy ushtarë ndihmuan për të mbikëqyrur operacionin për t'u siguruar që ai të kryhej në mënyrë të sigurt, duke shtuar se ushtari i plagosur tani po shërohet.
Siç është bërë e ditur më tej, operacioni u krye pa përdorimin e një metode të zakonshme për të ndihmuar në kontrollimin e gjakderdhjes gjatë operacionit - sepse "municioni mund të shpërthejë në çdo kohë".
Ndërkohë është thënë se pajisja ishte një granatë VOG - një copë municionesh 4 cm e gjatë, e cila gjuhet nga një granatëhedhës dhe mund të udhëtojë rreth 400 metra, dhe është projektuar të shpërthejë pak mbi tokë.
Operacioni u krye nga gjeneralmajor Andrii Verba, i përshkruar si "një nga kirurgët më me përvojë" të forcave të armatosura të Ukrainës.
Nuk dihet se kur është kryer operacioni dhe ku ka mbetur i plagosur ushtari, ndonëse postimi është publikuar të hënën.
Pothuajse 11 muaj pasi Rusia nisi agresionin e saj vdekjeprurës, luftimet në lindje të vendit vazhdojnë ndërsa forcat ukrainase përpiqen të largojnë trupat e dërguara nga Moska. /Telegrafi/











































