Të panevojshëm e të ndikuar politikisht e konsideron Gjykatën Speciale, njeriu që udhëhoqi ndjekjen penale ndaj ‘kasapit të Ballkanit’, Sllobodan Millosheviqit.

Ish-prokurori i Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi, Geoffrey Nice në intervistën për KosovaPress, flet për kërkesën e Prokurorisë së Speciales për dënim me nga 45 vjet burg për katërshen e UÇK-së, të cilën e konsideron të pazakontë. Ai deklarohet edhe për akuzat për të cilat ngarkohen ata dhe origjinën e tyre nga raporti i senatorit Dick Marty.


Britaniku Geoffrey Nice thotë se nuk e ka parashikuar ndonjëherë që do të mund të themelohej gjykatë e re për hetimin e krimeve të luftës, e aq më pak që të merret me vetëm një grup të caktuar.

Kryeprokurori në rastin e Sllobodan Millosheviqit, rast që nuk mori epilog për shkak se i njëjti vdiq gjatë gjykimit në Hagë, thotë se kërkesa e Prokurorisë për dënim me nga gati gjysmë shekulli për secilin nga katërshja e UÇK-së është e pazakontë.

Prokurori i rastit Millosheviq reagon për 45 vitet e kërkuara ndaj UÇK-së

“Epo, duket një dënim disi i çuditshëm për t’u kërkuar, sepse nuk besoj, nga shumë pak që di, që akuzat ndaj tij janë aq të rënda sa, për shembull, disa nga akuzat e bëra dhe të dënuara, ndoshta me më pak vite burg sesa 45 vite në Tribunalin e ish-Jugosllavisë”, thotë ai.

Juristi britanik 81-vjeçar, Geoffrey Nice, tregon se pas përfundimit të punës në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, iu kërkua të shkruante një artikull për “London Revieë of Books”, lidhur me raportin e Dick Marty, i cili, siç edhe e thotë Nice, pretendonte se Hashim Thaçi dhe të tjerët ishin të përfshirë në vrasjen e serbëve.

Se këto ishin vetëm pretendime e thotë edhe sot Nice, ku thekson se akuzat për trafikim organesh janë bërë nga serbët edhe ndaj kroatëve e boshnjakëve.

“Akuzat në raport ishin për trafikim organesh, dhe ato nuk janë ndjekur; përkundrazi, përmes një lloj manovre, pothuajse si një truk, ato u shndërruan në akuza më të përgjithshme që çuan në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve. Ajo që shikuesit tuaj mund të mos e dinë dhe mund t’u duket interesante, nëse mund të gjenden këto gjëra interesante, është se akuzat për vrasje të njerëzve për t’u marrë organet për shitje janë një narrativë e njohur në konflikte. Është si ajo narrativë tjetër e njohur ku thuhet se njëra palë luan futboll me kokën e prerë të dikujt nga pala tjetër. I dëgjon këto akuza, por nuk e sheh kurrë ndeshjen e futbollit. Shikuesit tuaj mund të jenë të interesuar të dinë se akuzat për atë që quhet “nxjerrje e detyruar e organeve” janë bërë nga serbët kundër dy grupeve të tjera para se të bëheshin kundër Thaçit dhe shqiptarëve të Kosovës", deklaron Nice.

Ai thekson se ky gjykim nuk ka asnjë lidhje me akuzat kundër Thaçit.

"Pasi ju tregova kaq shumë, ndoshta nuk do t’iu vijë si surprizë të dini se akuzat janë bërë në këtë rend: Së pari kundër kroatëve. Pastaj kundër myslimanëve boshnjakë dhe më pas kundër shqiptarëve të Kosovës. Në asnjë nga këto raste nuk është vërtetuar që akuzat kanë pasur ndonjë bazë reale. Ka pasur një akuzë krejtësisht tjetër dhe madje një gjykim për nxjerrjen e veshkave, ku natyrisht njerëzit mund të heqin një veshkë për para, sepse mund të funksionojnë me tjetrën. Ky gjykim kishte të bënte më shumë me aktivitete të tilla dhe nuk kishte asnjë lidhje me akuzat kundër Thaçit, për të cilin në këtë aspekt nuk ka prova”, deklaron Nice në intervistën për KosovaPress.

Juristi ndërkombëtar, Geoffrey Nice, i cili dikur ka qenë i përfshirë edhe me institucionet vendore përmes opinioneve të tij lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës, thotë se që në fillim kishte ndjerë se kjo gjykatë kishte “qëllime të tërthorta”.

“Që në fillim ndjeva se kishte gjasa që të ishte një gjykatë e krijuar për qëllime të tërthorta. Pastaj erdhi një moment kur u punësova për të bërë disa punë për ta përgatitur më mirë Kosovën për t’u përballur me atë që po ndodhte ose që pritej të ndodhte në gjykatë, dhe ajo punë zgjati rreth një vit, dhe përfundoi vetëm kur Qeveria e Kosovës, më duhet ta them jo çuditërisht, thjesht nuk ishte në gjendje të bënte atë që kishte synuar të bënte, dhe unë duhej ta përfundoja atë angazhim, sepse nuk kishte kuptim të vazhdoja ndryshe. Dhe kështu, unë isha aty me një koleg duke punuar për këtë, por unë isha përgjegjësi kryesor”, shprehet ai.

Kësisoj, britaniku i cili ka karrierë të gjatë në fushën e së drejtës penale ndërkombëtare dhe asaj publike, në intervistën për KosovaPress, thekson se e ka konsideruar që nga fillimi të panevojshëm themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Nuk kisha interes dhe nuk kam interes, në rastet konkrete; nëse rastet janë të drejta apo të gabuara është në një farë mënyre e parëndësishme për mua, sepse shqetësimi im ishte nëse ato duhej të gjykoheshin fare në atë gjykatë, apo nëse ajo gjykatë duhej të ekzistonte fare. Dhe sa i përket pyetjes së dytë, isha mjaft i qartë se mendoja që gjykata nuk duhej të ishte krijuar. Qeveria më kërkoi në dy raste të ndihmoja në një negociatë: një herë me Bashkimin Evropian për statutin e gjykatës, dhe një herë në secilin rast si një person dytësor ndaj dikujt nga qeveria ose i punësuar nga qeveria, dhe në rastin e dytë për të trajtuar atë që quhet marrëveshja me shtetin pritës midis Kosovës dhe Holandës për vendosjen e gjykatës aty ku ndodhet”, thekson më tej ai.

Në Gjykatën Speciale deri më tani janë gjashtë persona të akuzuar për krime të pretenduara lufte, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Pjetër Shala dhe Salih Mustafa. Shala është i dënuar me 13 vjet burgim, ndërkaq Mustafa me 15 vjet.

Se cili do të jetë epilogu në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, të njohur si gjyqi i madh, Nice thotë se është e vështirë ta parashikohet.

Marrë parasysh që ai ka udhëhequr ndjekjen penale ndaj ‘Kasapit të Ballkanit’, thekson se nuk e ka parashikuar as se ndonjëherë do të mund të themelohet gjykatë e re për hetimin e krimeve të luftës.

“Mendoj se do të kishte qenë shumë e vështirë të parashikohej që të krijohej ndonjë tribunal tjetër, duke qenë se krimet e pretenduara në çdo tribunal tjetër do të mund të trajtoheshin në Gjykatën e Hagës, ICTY, Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Pra pse të krijohej një tribunal tjetër? Tani mund të thuhet se deri në momentin kur u vendos se mund të kishte prova kundër Thaçit dhe të tjerëve, mandati i tribunalit jugosllavë kishte përfunduar, por nuk kishte asgjë që të ndalonte njerëzit të kërkonin zgjatjen e mandatit, në mënyrë që çështjet të trajtoheshin aty.

Por një tjetër gjë që do t’i dukej çdo juristi jashtëzakonisht e pamundur është që të krijohej një tribunal që do të gjykonte vetëm njërën palë të një konflikti që nga disa shihet si ndarje etnike. Pse vetëm shqiptarët e Kosovës? Dhe nuk besoj se nëse do ta diskutonit këtë me ndonjë jurist kudo, do të mendonte se kjo është diçka normale. Pra, edhe pse nuk e kisha menduar kurrë krijimin e këtij tribunali, po ta kisha menduar, nuk do të kisha pritur kurrë një të tillë”, deklaron Nice në këtë intervistë.

Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por veprojnë me personel ndërkombëtar në Hagë të Holandës.

Bashkimi Evropian është financuesi kryesor i Gjykatës Speciale, e cila u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare.

Ish-prokurori në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë pyetet edhe nëse konsideron se politika ka ndikim në këtë proces gjyqësor.

“Nuk besoj se do të isha i vetëm nëse do të përgjigjesha. Po. Ne e dimë që presidenti juaj i atëhershëm dhe përfaqësuesit tuaj në kuvend u vunë nën presion maksimal, mendoj nga Amerika, por ndoshta edhe nga Bashkimi Evropian, për të rënë dakord për krijimin e kësaj gjykate. Nuk ishte, sa e kuptoj unë – por duhet të bëni hulumtimet tuaja për të më korrigjuar nëse gaboj – nuk ishte në asnjë mënyrë një votim i lirë. Ishte një votim i bërë nën presion të madh, dhe kjo vetë mund të sugjerojë se kishte një motivim politik të zymtë në krijimin e gjykatës. Asgjë nuk ka dalë që atëherë për të ndryshuar mendimin tim se kishte vërtet një qëllim politik pas asaj që po bëhej, i reflektuar në të gjitha tiparet e çuditshme të Dhomave të Specializuara, për të cilat ju e dini dhe që i kemi përmendur, përfshirë faktin që gjykonte vetëm njërën palë dhe që u ndërtua mbi një raport të zbrazët nga senatori i ndjerë Dick Marty”, shprehet ai.

Që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, vendi ka qenë vazhdimisht “nën hijen” e kësaj gjykate, thotë Geoffrey Nice. Ai thekson se është e rëndësishme që e vërteta të dokumentohet saktë.

“Dhe është shumë e rëndësishme që, pa u zgjatur në të kaluarën, pa e lejuar që ajo të ndikojë ose të helmojë mendimin tuaj sot, kjo histori duhet të tregohet saktë, duke përfshirë shpjegimin se çfarë presioni politik ka pasur për krijimin e gjykatës. Dhe nëse ka gjëra për t’u thënë për proceset e saj dhe rezultatet e gjyqeve, atëherë kjo mund të trajtohet aty...kjo përforcon sugjerimin tim që kjo pjesa e parë, kjo mbetje apo hija e gjykatës, më saktë dhomat e specializuara, duhet të dokumentohet siç duhet dhe të shpjegohet me rigorozitet, në mënyrë që të mos ketë asnjë dyshim për të. Por tani është koha për të parë përpara”, përfundon Nice.

Çështja kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është mbyllur tanimë dhe rasti është në duart e gjykatësve për vendim. Ata më 18 shkurt kanë thënë fjalët e tyre përfundimtare, ku janë deklaruar sërish të pafajshëm për të gjitha akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Edhe ekipet mbrojtëse të katërshes së UÇK-së kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Pas deklaratave përmbyllëse të palëve që shënojnë edhe fazën përfundimtare të procesit, trupi gjykues ka 90 ditë kohë për të marrë vendim, por ky afat mund të zgjatet me kërkesë të panelit. Data e saktë e shpalljes së aktgjykimit ende nuk dihet.

Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 - gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë. /KP/