Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Drenas, pas hetimeve lidhur me vrasjen e ndodhur dje në fshatin Fushticë e Poshtme të Drenasit.

Hetuesit e IPK-së kanë nisur veprimet hetimore me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.


Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se zyrtarët policorë kanë treguar neglizhencë gjatë realizimit të detyrës zyrtare dhe gjatë ndërmarrjes së veprimeve lidhur me rastin e vrasjes.

“Bazuar në hetimet fillestare dhe autorizimet ligjore të IPK-së, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor dhe parandalimit të ndikimit të mundshëm në prova apo dëshmitarë, është rekomanduar suspendimi i zyrtarëve në fjalë,” thuhet në njoftimin e IPK-së.

Hetuesit e IPK-së, në koordinim me prokurorinë kompetente, do të ndërmarrin veprime të mëtejshme hetimore për të ndriçuar të gjitha rrethanat që lidhen me këtë rast. /Telegrafi/