Intervista e pamoralshme

George Ward Price (1886-1961), reporteri yll i Daily Mail-it, siguroi një seri lajmesh ekskluzive në vitet ’30 të shekullit XX. Por, për kë punonte ai në të vërtetë? Libri Interviewing Hitler: How George Ward Price Became the World’s Most Famous Journalist [Intervistimi i Hitlerit: Si u bë George Ward Price gazetari më i famshëm në botë], nga Richard Evans, flet për një histori të pamoralshme.
Nga: John Banville / The Guardian (titulli: Interviewing Hitler by Richard Evans review – the most unethical journalist in history)
Përktheu: Telegrafi.com
Disa vite më parë, një koleg në Irish Times ftoi në drekë opinionisten Nuala O’Faolain. Nuala ishte e famshme dhe e frikshme si një komentatore kontroverse, e cila ishte specializuar në sulmimin e devotshmërive popullore - përveç rasteve kur pikërisht të devotshmit ishin nën sulm dhe atëherë ajo u dilte menjëherë në mbrojtje.
Dyshja mezi kishte mbaruar ushqimin e parë, kur kolegu - që kishte mjaft përvojë në gazetari për të ditur diçka më mirë - e dëgjoi veten duke e pyetur Nualan se si ia dilte të kishte kaq shumë mendime, për të mbushur 52 kolumne në vit, pa përmendur detyrat specifike. Nuala, me pirunin në ajër, e pa me habi dhe i tha: "Për çfarë po flet? Unë nuk kam mendime - jam gazetare”.
Richard Evans, megjithëse vetë ish-gazetar, duket se nuk e ka kuptuar urdhrin e parë të katekizmit gazetaresk: mos ndalo për asgjë në kërkimin e një historie. Subjekti i tij, George Ward Price, padyshim e kishte përqafuar këtë parim. I quajtur nga Ernest Hemingway si “Princi monokël i shtypit”, ai ishte një nga gazetarët më të suksesshëm dhe më të famshëm të kohës së vet. Lindi në vitin 1886, si djali i një kleriku, jetoi për 75 vjet dhe vdiq pothuajse i harruar, por jashtëzakonisht i pasur, duke lënë mbi 125 mijë funte në testament - “në një kohë kur”, shkruan Evans, “paga mesatare vjetore në Mbretërinë e Bashkuar ishte rreth një mijë funte”.
Kur ishte në shkollë, një mik tha për Wardin se ambicia e tij ishte të bëhej ose “ipeshkëv, ose pjesë e stafit të Daily Mail-it”. Ai zgjodhi këtë të fundit dhe shumë shpejt u bë reporteri yll i Mail-it, duke prodhuar lajm pas lajmi dhe duke lënë konkurrencën të kurthuar prapa. Triumfet e tij më të mëdha erdhën në vitet ’30 të shekullit XX, kur ai u interesua me zell për nazistët, veçanërisht me Hitlerin, i cili në Linz, në mbrëmjen pas aneksimit të Austrisë nga Gjermania, “e përshëndeti me një buzëqeshje. ‘E pra, Ward Price’, i tha ai. ‘gjithmonë aty’”!
Raportimi i Priceit u kritikua rëndë, përfshirë Winston Churchillin i cili, kur e takoi, i tha:
“Kuptoj që ke qenë sërish në Gjermani, duke shtrënguar duart e përgjakura të miqve të tu nazistë”. Në autobiografinë e tij Extra-Special Correspondent [Korrespondenti ekstra-special], botuar më 1957, Ward Price pretendonte se kishte “raportuar saktësisht deklaratat [e Hitlerit], duke i lënë lexuesit britanikë të formonin vetë mendimin për vlerën e tyre”. Por, për komentues të tjerë, ai ishte thjesht “zëdhënësi ndërkombëtar i Duçes dhe i Fyrerit”.
Sidoqoftë, që në fillim të librit, Evansii sjell një provë që, nëse merret si e mirëqenë, e dënon drejtpërdrejtë dhe pa ekuivoke reporterin më të shquar të Mail-it. Gjashtë muaj pas Anshlusit [aneksimit të Austrisë] dhe pas misionit të paqes të Neville Chamberlainit në Gjermani, Ward Price kaloi disa ditë në vendpushimin alpin të Hitlerit në Bavari. Aty pati qasje ekskluzive te udhëheqësi nazist, në të gjitha gjendjet e tij - nga babaxhani te maniaku. Në fund të qëndrimit, siç ka shkruar Evans, “Ward Price zbriti nga mali me historinë më të madhe në botë”.
Kjo histori kishte të bënte me vendosmërinë e Hitlerit për të marrë Sudetlandin çek dhe, në mënyrë të nënkuptueshme, planet e tij për pushtime të mëtejshme më të gjera. Megjithatë, artikulli që u shfaq në Daily Mail duket se ishte një version i zbutur i asaj që kishte shkruar fillimisht Ward Price. Dhe, kush e zbuti? Joseph Goebbels, i cili ndodhej në Berstehgaden në atë kohë, shkroi në ditarin e vet: “Ai [Hitleri] është ende duke rishikuar intervistën e Ward Priceit, e cila ka dalë shumë mirë. Ishte pak si tepër entuziaste”.
Evansi i kushton çuditërisht pak vëmendje këtij fragmenti goditës, megjithëse është "arma e ndezur" në zemër të librit të tij. Nëse Ward Price vërtet lejoi që Hitleri ta zbusë atë që ai kishte regjistruar, kjo do të përbënte një tradhti të plotë ndaj vetes si gazetar. Sigurimi i “historisë më të madhe në botë” ishte i mundur vetëm përmes një akti të jashtëzakonshëm të shkeljes së etikës profesionale. Një gjë është t’i thuash vetes se nuk ke mendime, se je thjesht një kronik i saktë – por, është krejt tjetër gjë të lejosh që subjekti yt të lëmojë imazhin e vet. Kur subjekti yt është Hitleri, kjo është vetë ligësia. /Telegrafi/
















































