Interi ia merr një pikë Napolit (Video)

Nerazzurrët arritën t’u bënin ballë sulmeve të ekipit nikoqir që pati shanset më të mira gjatë fraksionit të parë.
Handanovic u tregua vendimtar në disa raste duke mos e lejuar Higuainin që të shënonte.
Gjërat ndryshuan në gjysmën e dytë. Marek Hamsik e zhbllokoi rezultatin me kokë, pas harkimit të Henriques (51’).
Atë që nuk e bëri në pjesën e parë, Gonzalo Higuain e bëri në të dytën. Argjentinasi mori një top nga Hamsik dhe shënoi një gol të bukur (63’).
Zikaltrit e bënë dramatik fundin e takimit duke e ngushtuar rezultatin. Goditja e Shaqirit u bllokua në zonë, por lojtarët vendas nuk e pastruan si duhet dhe topi shkoi te Rodrigo Palacio që realizoi (72’).
Henrique ndërhyri në mënyrë të gabuar në Palacion në zonë duke shkaktuar penalti dhe duke u përjashtuar me të kuq. Mauro Icardi e barazoi rezultatin nga pika e bardhë (87’).
Napoli është në vend të tretë në tabelë me tri pikë më shumë se Lazio që të hënën luan kundër Fiorentinas.
Interi është në vend të nëntë me 36 pikë, një më shumë se Milani që pozicionohet një vend më poshtë. /Telegrafi/





















































