“Infrakti nuk zgjedh moshë”, pse shëndeti i zemrës duhet të jetë prioritet? Flet doktoresha Fjolla Zhubi-Bakija

Sëmundjet e zemrës nuk janë më vetëm problem i moshës së shtyrë. Infarktet dhe problemet serioze kardiovaskulare po shfaqen gjithnjë e më shpesh edhe te personat e rinj, madje në të 30-tat dhe të 40-tat e tyre.
Kështu tha në episodin e 61-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, Fjolla Zhubi Bakija, specialiste e Mjekësisë Interne dhe Kardiologjisë.
- YouTube www.youtube.com
Në këtë episod, doktoresha Zhubi Bakija thekson se rritja e rasteve të infarktit në moshë të re nuk lidhet me ndryshime gjenetike, por kryesisht me stilin e jetesës moderne.
Jeta sedentare, mungesa e aktivitetit fizik, ushqimi i përpunuar me shumë kripë, sheqer dhe yndyra të dëmshme, pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit dhe stresi kronik janë faktorët kryesorë që po e përshpejtojnë shfaqjen e sëmundjeve të zemrës.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua kontrolleve preventive, të cilat shpesh neglizhohen, sidomos nga të rinjtë që ndihen “mirë” dhe nuk kanë simptoma të dukshme.
Sipas doktoreshës, matja e tensionit të gjakut, analizat e kolesterolit dhe sheqerit në gjak, si dhe një EKG e thjeshtë, mund të japin informacione jetike dhe të parandalojnë pasoja serioze në të ardhmen.
Ajo foli edhe për simptomat e infarktit, duke sqaruar se ato nuk paraqiten gjithmonë me dhimbje të forta në gjoks.
“Te gratë dhe personat me diabet, infarkti mund të shfaqet me lodhje ekstreme, djersitje të ftohta, vështirësi në frymëmarrje apo thjesht me ndjesinë se ‘diçka nuk shkon’. Këto simptoma nuk duhet të injorohen dhe kërkojnë vlerësim të menjëhershëm mjekësor”, ka sqaruar Zhubi-Bakija.
Zhubi Bakija thekson se shëndeti i zemrës ndërtohet që në fëmijëri dhe se parandalimi është gjithmonë më i fuqishëm se trajtimi.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë” e mbështetur nga United Hospital. /Telegrafi/














































