Në një treg që çdo ditë kërkon më shumë profesionalizëm, saktësi dhe transparencë, Ilire Gjuka po shënon një hap historik për industrinë e gurëve të çmuar në Kosovë.

Ajo është bërë vlerësuesja e parë e çertifikuar për diamante në vend, duke sjellë njohuri të avancuara dhe standarde ndërkombëtare në këtë fushë delikate dhe të rafinuar.


E pajisur me çertifikim zyrtar nga HRD Antwerp – një prej instituteve më të njohura në botë për klasifikimin e diamanteve – Ilirja sjell një ekspertizë të thellë në vlerësimin e katër karakteristikave kryesore të diamantit: prerja, ngjyra, pastërtia dhe pesha në karatë.

Ajo është trajnuar me praktika bashkëkohore të analizës së gurëve të çmuar, duke përdorur pajisje të teknologjisë së lartë dhe metodologji të njohura globalisht.

“Diamanti nuk është thjesht një gur i çmuar, është një histori, një ndjenjë dhe një investim që meriton trajtim profesional", thotë Ilirja.

Me pasionin dhe përkushtimin që ka ndaj botës së bizhuterive të nivelit të lartë, ajo synon të edukojë tregun vendas mbi rëndësinë e certifikimit dhe vlerësimit të saktë të diamanteve, duke ndihmuar blerësit dhe investitorët të bëjnë zgjedhje të informuara.

Puna e saj nuk kufizohet vetëm në vlerësim. Ilirja po ndërton një reputacion edhe si konsulente për koleksionistët dhe klientët që kërkojnë të investojnë në gurë të çmuar me garanci cilësie dhe autenticiteti.

Ajo është gjithashtu e angazhuar në edukimin e publikut përmes përmbajtjeve edukative dhe bashkëpunimeve me markat prestigjioze të bizhuterive.

Në një kohë kur tregu kosovar i luksit është në rritje, Ilirja po bëhet sinonim i besimit, ekspertizës dhe elegancës.

Për ata që duan të zbulojnë më shumë rreth botës magjepsëse të diamanteve, ajo është aktive në Instagram në profilin: Iliregjuka