Një ngjarje e rëndë tronditi fshatin Majac të komunës së Podujevës, ku dy persona humbën jetën nga të shtënat me armë zjarri, ndërsa e dyshuara ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se viktimat janë identifikuar me inicialet I. B. dhe M.G..


“Menjëherë pas pranimit të informatave, Policia e Kosovës dhe ekipet hetimore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të ndërmarrë veprimet e para hetimore,” thuhet në komunikatë.

Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, është sekuestruar një armë zjarri, disa gëzhoja dhe prova të tjera materiale të rëndësishme.

Trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.

Sipas hetimeve preliminare, motivi i ngjarjes ende nuk është i njohur.

“Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, po zhvillon hetime intensive për ndriçimin e plotë të këtij rasti tragjik,” thuhet më tej në komunikatën zyrtare. /Telegrafi/