Bashkimi Evropian ia ka vazhduar sot mandatin misionit të vet në Kosovë për sundim të ligjit, EULEX, ndërkohë që në Prishtinë, gjatë tërë ditës janë duke u mbajtur bisedime për modalitetet e futjes së kësaj çështjeje në agjendën e Kuvendit për miratim.
Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së Federica Mogherini, ka konfirmuar për KALLXO.com vendimin e marrë sot në Bruksel.
“Këshilli Evropian ka miratuar sot vendimin me të cilin i zgjatet mandati misionit të EULEX-it”, tha Kocijançiq në një përgjigje përmes postës elektronike.
Ky vendim duket se i ka hapur rrugë Mogherinit që t’i përgjigjet Presidentit të Kosovës në letrën e dërguar për vazhdimin e mandatit.
“Përfaqësuesja e Lartë do t’i përgjigjet letrës së Presidentit Thaçi ashtu siç është praktika e vendosur; në ndërkohë ne po vazhdojmë të punojmë me autoritetet e Kosovës për t’i përmbyllur të gjitha përgatitjet për vazhdimin e mandatit të EULEX-it”, tha zëdhënësja Kocijançiq për KALLXO.com.