Një vajzë 18-vjeçare u arrestua pasi dyshohet se i hodhi një pije në kokë një oficeri policie në Karolinën e Veriut gjatë një proteste kundër ICE.

Emily Cervantes Ramos u ndoq, u kap dhe u vu në pranga pasi u pa në një video tani virale, ku dyshohet se i hodhi një pije të madhe një oficeri të paidentifikuar të policisë së Kannapolisit.


Skena dramatike u zhvillua rreth mesditës së së premtes kur rreth 75 nxënës nga shkolla e mesme A.L. Brown, përfshirë Ramos, dolën nga klasa në shenjë proteste ndaj agjentëve të ICE-së që po infiltroheshin në Charlotte-n e afërt.

Nxënësit ishin në qendër të qytetit të Kannapolisit, rreth 30 minuta jashtë Charlotte-s, gjatë demonstratës, tha për Daily Mail, drejtoresha e komunikimit në Kannapolis, Annette Keller.

Oficerët u thirrën në zonë "për të siguruar sigurinë e të gjithëve", sipas Keller, e cila tha se shumica e nxënësve të përfshirë po protestonin paqësisht derisa gjërat morën një kthesë për keq.

Pamjet e shpërndara në internet treguan një oficer policie që qëndronte në mes të një trotuari, ndërsa një grup njerëzish i bërtisnin.

Grupi dëgjohej duke e sharë, mallkuar dhe bërtitur vazhdimisht, ndërsa oficeri qëndronte i qetë, transmeton Telegrafi.

'Ti nuk je as oficer, je thjesht një djall pa jetë', dëgjohej një vajzë duke i bërtitur policit.

Ata vazhduan të bërtisnin kur papritmas Ramos iu afrua nga pas dhe i hodhi një pije të madhe në kokë.

Turma më pas bërtiti nga shoku, ndërsa oficeri vrapoi menjëherë pas vajzës me flokë të gjatë.

Grupi e ndoqi shpejt nga pas, ndërsa shumë prej tyre bërtisnin me të madhe dhe vrapuan përtej rrugës.

Pamjet më pas tregonin oficerin duke i vënë prangat Ramosit, i veshur me xhinse blu dhe bluzë të zezë.

Oficerë të tjerë shpejt rrethuan zonën ndërsa polici i përfshirë vazhdoi të arrestonte Ramosin. /Telegrafi/