Duke folur në Bruksel, përpara një samiti të 27 liderëve të BE-së, Orban theksoi se kritikat nuk janë të bazuara në fakte, por në një “përshtypje dhe perceptim politik”.

“Kush është në gjendje që të prezantojë qoftë edhe një provë të vetme, qoftë edhe një fakt jo të plotë, të argumenteve tuaj se ndryshimet kushtetuese të propozuara nuk janë demokratike”, sfidoi Orban drejtuesit e tjerë të shteteve, transmeton TCH.


“Pa fakte, nuk ka kuptim që të vazhdojmë këtë bisedë, pasi ajo po shndërrohet në një diskutim të përgjithshëm politik”.
Partia ”Fidesz” e kryeministrit Orban gëzon më shumë se 2/3 e vendeve në Parlament, ndaj ka dorë të lirë ndaj ndryshimeve kushtetuese.

Amendamentet pritet të sjellin një sërë ndryshimesh në ligjin për arsimin e lartë, atë për të pastrehët, për zhvillimin e fushatës elektorale, të drejtat familjare dhe funksionimin e gjykatës së lartë dhe asaj kushtetuese.

Paketa e ndryshimeve ligjore është konsideruar si “grushti i fundit” ndaj demokracisë së “brishtë” hungareze nga zërat e opozitës në vend dhe ka ngjallur disa reagime të ashpra kundërshtuese brenda BE-së.

Në një thirrje adresuar Budapestit zyrtar, Këshilli i Evropës kërkoi që të paktën votimi të shtyhet, deri kur dokumenti i ndryshimeve, prezantuar në mënyrë të beftë, të analizohet në detaje nga konstitucionalistët dhe ekspertët evropianë.

Në të shkuarën, qeveria e Orban është vendosur nën kritika të ashpra të Brukselit, për një sërë ligjesh, midis të cilave edhe ai që do të rikthente censurën mbi mediat.

Kryeministri autoritar i Hungarisë ka ngjallur kundërshti edhe për deklaratat e tij polemizuese, disa herë me tone anti-evropiane, në kundërshtim me rolin që Hungaria pritet të ruajë si një prej 27 vendeve anëtare të BE-së.

Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë disa herë thirrje politikanëve hungarezë që të respektojnë institucionet e pavarura dhe parimin “check and balance”, si parimin themelor të funksionimit të shtetit demokratik. /Telegrafi/