Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka thënë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, Kosova është duke i vuajtur pasojat nga sanksionet e Bashkimit Evropian.
Hoti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Qeveria aktuale e degradoi MSA-në dhe gjithë procesin e integrimit evropian të Kosovës duke ia nënshtruar atë zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.
“Marrëveshja e Ohrit u bë me vullnet të lirë, bile Kryeministri insistonte nëpër korridoret e hotelit në Ohër për nënshkrim të marrëveshjes.
Tani kur është bërë dëmi, kur Kosova po vuan nga sanksionet e Bashkimit Evropian që kanë bllokuar rreth 300 milionë për projekte të ndryshme, në Shkup, Kryeministri kërkon që të shkëputet procesi i integrimit evropian i Kosovës nga Marrëveshja e Ohrit. Gjithë ai aparat qeveritar, me gjithë ata këshilltarë, e me Presidenten juriste, si nuk e kanë kuptuar gropën ku kanë rënë me pranimin e Marrëveshjes së Ohrit? Është e kuptueshme tani injorimi që iu bënë BE-ja kur kërkojnë të shkëputet procesi i integrimit evropian të Kosovës nga zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit”, ka shkruar Hoti.
Ai po ashtu tha se: “Në vitin 2015, Qeveria Mustafa ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian, e cila e trason rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian. Kjo mbetet marrëveshja e parë kontraktuale e Kosovës me Bashkimin Evropian, sigurisht me status të veçantë pasi kishte dhe ka ende vende të BE-së që nuk e njohin Kosovën”. /Telegrafi/