Site icon Telegrafi

Homazhe në Nekoc për nder të 26-vjetorit të rënies së heroit Hisni Murseli

Për nder të 26-vjetorit të rënies heroike të Heroit të Kosovës, Hisni Murseli, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, bëri homazhe në fshatin Nekoc.

Gjatë ceremonisë përkujtimore, kryetari Lladrovci vlerësoi lart sakrificën dhe kontributin e Heroit Hisni Murseli për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ai theksoi se trimëria dhe përkushtimi i tij ndaj atdheut mbeten një shembull frymëzues për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.

“Rënia heroike e Hisni Murselit është një kujtesë e përhershme e sakrificës së madhe që kanë bërë heronjtë tanë për lirinë që ne sot e gëzojmë. Është detyrë e jona që ta ruajmë dhe ta kultivojmë këtë trashëgimi të lavdishme,” u shpreh kryetari Lladrovci gjatë homazheve.

Me flamurin kombëtar të ngritur lart dhe me respekt të thellë, qytetarët dhe përfaqësuesit institucionalë shprehën mirënjohjen dhe respektin për veprën e pavdekshme të Heroit Hisni Murseli. /Telegrafi/

Exit mobile version