Historianët kërkojnë rezolutë kundër librit të Shkëlzen Gashit për masakrat në Kosovë

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Kuvendit të Kosovës për miratimin e një rezolute që kundërshton librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999” të autorit Shkëlzen Gashi.
Kërkesa i është adresuar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe nënkryetarëve dhe shefave të grupeve parlamentare.
Sipas historianëve, libri në fjalë nuk e përcakton qartë përgjegjësinë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe lë hapësirë për interpretime që, sipas tyre, cenojnë të vërtetën historike.
Në letër theksohet nevoja për një qëndrim institucional, duke argumentuar se trajtimi i ngjarjeve të viteve 1998–1999 duhet të bëhet mbi baza të verifikuara shkencore dhe me përgjegjësi të plotë ndaj kujtesës kolektive dhe viktimave të luftës.
Kjo kërkesë e historianëve, vie si rezultat i reagimeve të shumta që ndodhën ditëve të fundit mbi ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e cila bazohej pikërisht në këtë libër, e ku u ngritën dyshime për pasaktësi në të dhënat e paraqitura, veçanërisht lidhur me viktimat e disa masakrave.
Më poshtë është letra e plotë:
E nderuara znj.Kryetare,
Duke ju uruar suksese në ushtrimin e detyrës suaj, në emër të organeve drejtuese të Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, ju drejtohemi me kërkesën për miratimin e një Rezolute nga Kuvendi i Republikës së Kosovës lidhur me librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, të autorit Shkëlzen Gashi.
Kjo kërkesë buron nga nevoja për një qëndrim të qartë institucional ndaj trajtimit të një prej çështjeve më të ndjeshme të historisë sonë të re. Mënyra e paraqitjes së ngjarjeve të viteve 1998-1999 në këtë botim, përfshirë edhe formulimin e titullit, nuk e përcakton qartë përgjegjësinë për krimet e kryera në Kosovë, duke lënë të paadresuar rolin e shtetit serb dhe duke krijuar hapësirë për interpretime që cenojnë të vërtetën historike.
Duke pasur parasysh peshën që kanë këto ngjarje në kujtesën kolektive dhe në ndërtimin e narrativës shtetërore, konsiderojmë se institucionet e Republikës së Kosovës kanë obligim të reagojnë në mënyrë të përgjegjshme, duke mbrojtur të vërtetën e bazuar në fakte të verifikuara dhe në standarde shkencore. Trajtimi i temave që lidhen me krimet e gjenocidit serb në Kosovë kërkon një qasje të kujdesshme, profesionale dhe të institucionalizuar, në mënyrë që të shmangen keqinterpretimet dhe relativizimi i tyre.
Në këtë kontekst, vlerësojmë se Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të marrë një rol aktiv në orientimin e diskursit publik dhe shkencor, duke mbështetur institucionet përkatëse akademike dhe kërkimore në trajtimin e këtyre çështjeve dhe duke garantuar që publikimet e kësaj natyre të kalojnë nëpër filtra profesionalë dhe shkencorë.
Miratimi i një Rezolute do të përbënte një akt me rëndësi të veçantë, jo vetëm në planin institucional, por edhe në atë shoqëror e historik, duke kontribuar në ruajtjen e integritetit të kujtesës historike, në respektimin e viktimave dhe në forcimin e një narrative të bazuar në të vërtetën dhe drejtësinë.
Për rrjedhojë, propozojmë që Rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës të përfshijë këto pika:
- Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh qëndrimin e tij zyrtar të distancimit nga përmbajtja dhe qasja e librit “Masakrat në Kosovë 1998-1999” të autorit Shkëlzen Gashi, duke vlerësuar se ai nuk pasqyron në mënyrë të plotë dhe të saktë përgjegjësinë për krimet e gjenocidit serb në Kosovë.
- Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se ngjarjet e viteve 1998-1999 përbëjnë krime të gjenocidit serb në Kosovë, si dhe krime të rënda të luftës dhe krime kundër njerëzimit, të kryera nga aparati shtetëror i Serbisë.
- Kuvendi i Republikës së Kosovës thekson se mohimi, relativizimi apo pasaktësimi i krimeve të gjenocidit serb në Kosovë përbën cenim të rëndë të së vërtetës historike dhe të kujtesës kolektive të popullit të Kosovës.
- Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon që trajtimi dhe publikimi i temave që lidhen me krimet e gjenocidit serb në Kosovë të bëhet përmes institucioneve shkencore dhe akademike të vendit, si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti i Historisë, Instituti Albanologjik dhe Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë.
- Kuvendi i Republikës së Kosovës u bën thirrje autorëve, studiuesve dhe organizatave që në trajtimin e krimeve të gjenocidit serb në Kosovë të respektojnë standardet më të larta profesionale, shkencore dhe etike, duke shmangur çdo formë të relativizimit, minimizimit apo deformimit të këtyre krimeve.
- Kuvendi i Republikës së Kosovës angazhohet që të mbështesë fuqishëm iniciativat institucionale dhe shkencore për dokumentimin, studimin dhe publikimin e krimeve të gjenocidit serb në Kosovë, në funksion të drejtësisë dhe të ruajtjes së kujtesës historike.
- Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga institucionet përkatëse që të intensifikojnë përpjekjet për dokumentimin e plotë dhe për ndërkombëtarizimin e së vërtetës mbi krimet e gjenocidit serb në Kosovë.
E nderuara znj.Kryetare,
Duke e konsideruar rëndësinë e kësaj çështjeje për të vërtetën historike, kujtesën kolektive dhe dinjitetin e viktimave, ju lutemi që këtë kërkesë ta trajtoni me prioritet dhe ta procedoni për shqyrtim në organet përkatëse të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Jemi të bindur se një qëndrim i qartë institucional përmes miratimit të kësaj rezolute do të kontribuojë në mbrojtjen e së vërtetës mbi krimet e gjenocidit serb në Kosovë dhe në forcimin e rolit të institucioneve tona në ruajtjen dhe promovimin e saj. /Telegrafi/





















































